Afera destrukive dhe denigruese për komandantët e Ushtrisë çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) e lansuar nga ish-zëdhënësi i kryetarës së Komunës Ardita Sinani, i cili quajti Komandantët e ish-UÇPMB-së, komandant të Eurove, ka sjellur edhe reagimin e Lulzim Ibishit, Komandant Luli.

Ai në një prononcim për presheva.com, ka shprehur shqetësimin dhe indinjatë të thellë me rastin.

«Lufta e UÇPMB-së ishte një luftë me përmasa të ruajtjes së identitetit kombëtarë shqiptarë në Kosovën Lindore e cila është organizuar dhe operuar nga guximi, gjaku dhe flijimi i bashkëluftëtarëve tanë» ka deklaruar Komandant Luli. Ne nuk jemi shitur dhe as blihemi, ne vetëm se ishim dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm për ato troje shqiptare të japim më të shtrenjtën Jetë».

Komandant Luli ka deklaruar se «është krenar që i takon asaj periudhe ku së bashku me vëllezër e motra, pa kurrfarë çoroditje ideologjike, por me bindje të fortë që të sjellim lirinë Kosovës Lindore përmes grykës së pushkës.»

Lulzim Ibishi, Komandant Luli është nga fshati Norçë e Preshevës ka një dekadë të tërë që nuk ka shkelur në vendlindjen e tij, pasi mbi të rëndon një dënim prej gjashtë vitesh burgim nga gjykata serbe pasi sipas Komandant Lulit policia kishte inskenuar gjetjen e një sasie armësh në shtëpinë e tij në vitin 2008. Komandant Luli ishte gjithashtu edhe pjesëtar i UÇK-së dhe ka marrë statusin e veteranit.