Presidenti iranian dhe ai rus, Hassan Rohani dhe Vladimir Putin, përshëndetën fitoren e ushtrisë siriane kundër terrorizmit në Alepo gjatë një bisede telefonike të shtunën në mbrëmje, njoftoi sot presidenca iraniane në faqen e saj në internet.

“Fitorja e ushtrisë siriane ka për mesazh se terroristët nuk mund të arrijnë objektivat e tyre. Nuk duhet lejuar që armëpushimi të përdoret nga terroristët për të mbledhur fuqitë dhe të krijojë baza të reja në rajone të tjera të Sirisë”, deklaroi presidenti iranian.

Sipas kësaj komunikate zyrtare, presidenti Putin ka përshëndetur gjithashtu fitoren e ushtrisë siriane duke shtuar se “bashkëpunimi mes Teheranit dhe Moskës (…) do të vazhdojë”, thuhet në komunikatë, transmeton atsh.

Irani dhe Rusia, ashtu si qeveria siriane, cilësojnë si terroristë të gjitha grupet rebele që luftojnë në Siri.