Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë sot se shpreson se do ta vizitojë Kajron shumë shpejt, duke e lavdëruar presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, pas një takimi me të në Arabi Saudite, ku deklaroi se siguria duket të jetë shumë e fortë në Egjipt.
E Sisi e ka përshkruar Trumpin si një personalitet i veçantë që është në gjendje ta bëjë të pamundurën, transmeton Express.
Trump ka thënë se ka pasur bisedë shumë, shumë të rëndësishme me Sisin.

“Kemi kaluar pozitivisht nëpër shumë gjera së bashku,” ka thënë Trump, i cili është në vizitën e parë jashtë shtetin qëkur u bë president.

“Do të shkoj në Egjipt. Absolutisht do ta vendosim këtë në listë shumë shpejt. Sisi ka bërë një punë të madhe nën rrethana të vështira,” ka thënë Trump.

Sisi e ka nisur luftën më të ashpër ndaj islamikëve në historinë moderne të Egjiptit që prej se e rrëzoi presidentin Mohamed Mursi të Vëllazërisë Myslimane në vitin 2013. Qindra ushtarë dhe policë egjiptianë janë vrarë duke i luftuar militantët në Sinai.

Muajin e kaluar, Egjipti shpalli gjendje të jashtëzakonshme tremujore pas sulmeve me bomba në dy kisha, ku u vranë 45 persona. Përgjegjësinë për këto sulme e mori Shteti Islamik (ISIS).

Sisi ishte për vizitë në Uashington muajin e kaluar, ku u takua me Trumpin me qëllim që t’i përmirësojë marrëdhëniet me SHBA-në të cilat ishin përkeqësuar gjatë presidencës së Barack Obamas.