Prokuroria e Shtetit tashmë ka nisur hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Prokuroria e Shtetit. Kreu i Komunës së Pejës po hetohet nga ana e institucioneve të drejtësisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Bashkë me të në syrin e prokurorisë janë edhe tre zyrtarë të tjerë komunalë të Pejës.

“Pas shqyrtimit të shkresave të rastit penal të pranuar nga i dëmtuari L. Sh., Prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve, kundër G.M., G.L., K.L., F.Z. pasi që dyshohen se kanë kryer veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 nën paragrafi 2.2 dhe 2.4  lidhur me nenin 31 te KPK”, thuhet në përgjigjen që zëdhënësi i prokurorisë, Ekrem Lutfiu, i ka dhënë Gazetës.

Prokurori i rastit, po ashtu, ka nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve edhe kundër të pandehurit, K.N., pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale “mashtrimi nga neni 335 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPK”.

E ndërkohë që Gazeta Express, nga burime të saja merr vesh se kreu i komunës së Pejës nuk i ka përfillur vendimet e Gjykatës Themelore në Pejë për kthimin në punë të punonjësit L.Sh. I njëjti ishte punonjës në komunën që udhëhiqet nga Muhaxhiri. Ai është larguar nga puna si dhe ka bërë ankesë pranë gjykatës. Kjo e fundit e ka kthyer në punë të dëmtuarin L.SH., ndërkohë që kryetari i komunës Gazmend Muhaxhiri nuk i ka përfillur vendimet e Gjykatës për kthimin në punë të punonjësit.