Forcat speciale të Policisë së Kosovës ROSU kanë arrestuar sot në Mitrovicë katër persona, nën dyshimin se janë të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Prokuroria ka njoftuar se te të dyshuarit janë gjetur armë pa leje dhe dëshmi të tjera, lidhur me këtë rast, shkruan Express

Prokuroria Speciale ka dhënë detaje lidhur me aksionin e sotëm në veri, ku u arrestuan katër persona, si të dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.Në Prokurori thonë se janë kontrolluar disa lokale dhe prona në pjesën veriore të Mitrovicës, për shkak se është vlerësuar se ka gjasa reale se në këto lokale, shtëpi dhe prona mund të zbulohen dhe konfiskohen prova të rëndësishme për veprën penale.

“Me qëllim që të zbatohen procedurat e ligjshme dhe të drejta për sigurimin e provave dhe arrestimin e personave të dyshuar për veprën penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe urdhrit të lëshuar me shkrim nga Gjykatësi i procedurës paraprake i Krimeve të Rënda në Prishtinë, janë kontrolluar disa lokale dhe prona në pjesën veriore të Mitrovicës, për shkak se është vlerësuar se ka gjasa reale se në këto lokale, shtëpi dhe prona mund të zbulohen dhe konfiskohen prova të rëndësishme për veprën penale”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.Gjatë këtij aksioni, “Policia e Kosovës ka gjetur armë pa leje dhe materie tjera që përbëjnë veprën penale, për të cilën ndiqet sipas detyrës zyrtare.”/Express