Deri të shtunën një ekip i prokurorisë publike speciale do të qëndrojë në Ohër. Në policinë e Ohrit janë marrë në pyetje rreth 200 njerëz të cilët i kanë dhënë donacione VMRO – DPMNE-së. Specialja heton mënyrën se si janë dhuruar paratë për partinë e Gruevskit për zgjedhjet e vitit 2014. Kjo marrje në pyetje e Speciales, në polici, e zemëroi degën e VMRO – DPMNE-së në Ohër. Qindra persona u mblodhën jashtë policisë në Ohër. Kundër Katica Janevës protestuan edhe deputetë, por edhe drejtorë të kompanive publike. Ata porositën se Specialja duhet të largohet nga Ohri, në qoftë nuk përmbushen këto kërkesa, anëtarët e VMRO – DPMNE-së njoftuan për mosbindje civile.

Kjo Speciale tashmë është e njëanshme dhe për mua prej sot kjo prokurori është selektive. Jo rastësisht Specialja vjen në Ohër me këtë fushatë të komprometimit të familjeve të shquara dhe aktivistë të VMRO DPMNE-së. Do të luftoj në parlament që Specialja të jetë e kaluar dhe do ta shfuqizojmë Specialen, sepse nuk është ashtu siç duhet të jetë – deklaroi Sasho Vasilevski – deputet i VMRO DPMNE-së.

Anëtarësia e VMRO – DPMNE-së në Ohër nuk dëshiron që të japë deklarata në stacionin e policisë pasi konsideron se Specialja përpiqet ti paraqesë si kriminelë.

Cili është mëkati jonë që e duam partinë dhe që duam ti ndihmojmë. Ata vijnë këtu dhe na marrin në pyetje pse kemi dhënë 1,000 denarë donacion për partinë. Ne jemi këtu si dëshmitarë, ndërsa dje u persekutuam si të ishim të akuzuar. Unë kam një pagë të mirë, pse të mos jap, mua partia më ka dhënë – u shpreh Ljuben Arnaudov, kryetar i degës së VMRO DPMNE në Ohër.

Reagoi edhe Prokuroria Speciale.

Sipas Kodit Penal çdo lloj ndikimi ndaj dëshmitarëve përbën vepër penale dhe personat e thirrur si dëshmitarë janë të detyruar t’i përgjigjen ftesës dhe të ndihmojnë me deklaratat e tyre në konstatimin e fakteve për të cilat është iniciuar çdo procedurë para-hetimore ose hetimore – thuhet në njoftimin e PSP-së.

Tani për tani nuk ka asnjë informacion zyrtar nëse Specialja do të marrë në pyetje anëtarët e tjerë që kanë dhuruar para për VMRO – DPMNE, por që janë nga qytete të tjera. Procedurën para-hetimore për mënyrën e financimit të VMRO DPMNE-së, Specialja e ka filluar në tetor të vitit të kaluar. Jozyrtarisht, disa nga personat që kanë dëshmuar kanë thënë se nuk kanë dhuruar para, ndërsa të tjerët kanë pohuar një gjë të tillë. Gjithashtu për ciklet e kaluara zgjedhore një pjesë e figurave publike që e gjetën veten në listën e donatorëve të VMRO – DPMNE-së, publikisht mohuan se kanë dhuruar para për VMRO – DPMNE-në.