Shqiptarët në Maqedoni janë të vetmuar, jo vetëm në këto zgjedhje, por në tërë jetën e tyre politike, kulturore e shoqërore. Janë ballë për ballë me shovinizmin sllavomaqedonas, i cili frymëzohet e bën vaki edhe sponsorizohet nga qendra pansllaviste, por nuk amortizohet as një gram nga ndonjë politikë e “shtetit amë.”

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, ndërmjet injorimit nga ana e Shqipërisë e Kosovës dhe diskriminimit nga sllavomaqedonasit, mund ta identifikosh ngado që ta kthesh kryet, pra edhe nga ngjarjet e ditëve të fundit. Vizita që bëri këto ditë në Serbi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kaloi me injorim të plotë të çështjes së shqiptarëve në Maqedoni.

Detyrimi i Shqipërisë ka të bëjë me bashkëkombësit në shtete të tjera, jo me shtetin e Kosovës. Rama gjatë asaj vizite prodhoi një seri skandalesh në raport me Kosovën, duke marrë përsipër të flasë për gjëra për të cilat as nuk ka kompetencë dhe askush nuk e ka autorizuar, sikundër është, fjala vjen, problemi i Trepçës. Trepça është një problem ekskluzivisht i brendshëm i Kosovës, të cilin Kosova nuk ka pranuar ta diskutojë fare me Serbinë as në Bruksel. Problemi i statusit të këtij kombinati, edhe deri sa Rama llomotiste për të në Beograd, ishte dhe është ende në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Pra, jo vetëm Edi Rama, po momentalisht as Isa Mustafa nuk ka pse flet për Trepçën, meqë duhet të pritet verdikti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. E njëjta gjë është edhe sa u përket llapjeve të tij për statusin e Kosovës. Statusi i Kosovës nuk varet as nga retorika e shpifur e Ramës e as nga shkulmet histerike të Vuçiqit. Prandaj, Rama nuk ka pasur pse të futë hundët në tema që janë jashtë orbitës së qeverisë që drejton.

Ram-onanistët që u munduan t’i mbulonin me gjethe fiku turpet e Ramës në Beograd e në Nish, na sollën si argument gjoja detyrimin kushtetues të Shqipërisë të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve të saj. Po, Shqipëria atë detyrim e ka me Kushtetutë, por ai detyrim ka të bëjë me shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi e – eventualisht – edhe në Serbi. Pra, ka të bëjë me shqiptarët që jetojnë në shtete të tjera dhe ku në forma të ndryshme i janë ekspozuar diskriminimit. Detyrimi i Shqipërisë ka të bëjë me bashkëkombësit në shtete të tjera, sikundër që ka pasur të bëje edhe me shqiptarët e Kosovës derisa Kosova është bërë shtet më 17 shkurt 2008. Pas pavarësimit të saj marrëdhëniet mes Kosovës e Shqipërisë duhet të kenë tjetër format, pra duhet të jenë relacione mes dy shtetesh të pavarura, e jo mes “shtetit amë” dhe “bashkëkombësve kosovarë si minoritarë.” Sjelljet e Edi Ramës në të gjitha vizitat e shumta të deritashme në Serbi kanë dëshmuar se ai nuk e respekton këtë realitet të ndryshuar të statusit të Kosovës, prandaj ka vazhduar praktikat e disa paraardhësve të tij, Zogut, Hoxhës e Nanos, për të dizajnuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë (ose Jugosllavinë) në dëm të Kosovës. Për mëkatet dhe krimet që kanë bërë ndaj Kosovës, secili prej tyre bartë përgjegjësitë e veta, por mëkati i Ramës është specifik, sepse ai po tenton ta injorojë qëllimisht realitetin në të cilin Kosova është shtet i pavarur, siç janë Shqipëria e Serbia, e jo provincë serbe me një “pakicë shqiptare.” Edi Rama ashiqare ka ngecur në llucën e mentaliteteve të vjetra paternaliste të paraardhësve të vet, por duke u bërë edhe më arrogant e edhe më i pandjeshëm se ata.

Pse nuk bën Rama presion mbi Shkupin zyrtar dhe Ali Ahmetin?

Pra, Edi Rama foli në Serbi për Kosovën, e cila nuk kishte fare nevojë të përfaqësohej prej tij, ndërsa heshti si peshku për pozitën e rëndë që kanë shqiptarët në Maqedoni, edhe më të keqe në Greqi e gjithsesi edhe në vetë Serbinë e Vuçiqit, ku Rama po luante rolin e ekzibicionistit në litar. Jo vetëm që heshti gjatë vizitës në Serbi, por ai do të vazhdojë të heshtë si peshku edhe më tutje, si të ishte i goditur nga amnezia. Pse? Sepse ai nuk e ka fare preokupim çështjen shqiptare. Rama e ka preokupim vetëm promovimin personal. Meqë llomotitjet kuazipatriotike në Beograd mundësojnë promovimin personal, ai atje llomotitë (natyrisht për dozat e llomotitjeve paraprakisht arrin marrëveshje me mikun e tij, Vuçiqin), por pa i bërë asnjë presion qeverisë serbe. Vetë fakti që nuk ka qenë i aftë ta zhbllokojë interkoneksionin 40-kilovoltësh ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, të cilin miku i tij i zemrës, Vuçiqi, e mban të bllokuar, duke u shkaktuar dy vendeve tona humbje në miliona euro, dëshmon se ai nuk është i aftë për kurrgjë serioze. Shfrimet emocionale gati dashurore për kriminelët Emir Kusturicën dhe Ivo Andriqin e bëjnë edhe më të dukshëm palaçllëkun e tij.

Po të ishte Rama kryeministër prej vërteti, e jo thjesht dhe vetëm një palaço, qeveria e tij do të bënte presion mbi Shkupin zyrtar që të ndërpresë format e diskriminimit ndaj shqiptarëve. Gjithashtu politika aktive e Tiranës zyrtare saj do të duhej ta ulte në tokë edhe demagogjinë dhe paudhësitë e Ali Ahmetit dhe partisë së tij, e cila në emër të luftës e të shqiptarizmit, e ka dobësuar tej mase pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka shndërruar në një karikaturë përfaqësimin e shqiptarëve në qeveri e në institucione. Por, qeveria e Ramës nuk e ka aspak preokupim gjendjen e vështirë të shqiptarëve në Maqedoni. Bile ka rënë aq poshtë, sa gati e ka barazuar me problemin e një grushti sllavomaqedonasish në Shqipëri. Për këto arsye të njohura e të rrënjosura, shqiptarët në Maqedoni duhet t’i braktisin iluzionet (ata që i kanë pasur) se do të ndihmohen nga qeveria e Edi Ramës dhe “nëna Shqipëri”, e pakta deri sa ajo qeveriset prej tij. Aty ku nuk ka promocion, aty Rama nuk duket.

Edhe sa i përket pozicionit të Kosovës në raport me shqiptarët e Maqedonisë, duhet thënë qartë se ai pozicion është kompromentuar aq keq me rastin e Kumanovës dhe nuk ka gjasa të rehabilitohet shpejt. Prandaj, ndihma më e mirë e Kosovës është nëse prej saj ose në emër të saj nuk prodhohen kriza që do t’i dëmtonin shqiptarët në Maqedoni.

Fuqia e fshehtë e shqiptarëve në Maqedoni

Shqiptarët në Maqedoni janë të vetmuar. Përballë nacionalizmit sllavomaqedonas, përballë projekteve okulte pansllaviste. Po, gjendja reale e shqiptarëve në Maqedoni është e tillë moti, por nuk është thënë me zë e nuk është pranuar me zemër. Shqiptarët në Maqedoni janë të vetmuar. Ata jo vetëm që janë nën presionin e nacionalizmit sllavomaqedonas e projekteve okulte panslalviste, por janë të injoruar nga Tirana e edhe nga Prishtina. Në fakt, Tirana e Prishtina – në rastin e shqiptarëve në Maqedoni – e kanë poshtëruar veten më shumë se shqiptarët në Maqedoni. Fakti që kanë lejuar që epiqendrës së identitetit kombëtar shqiptar, Manastirit, t’i eliminohen gjurmët kulturore shqiptare dhe që ai qytete të dealabanizohet, flet më shumë se çdo narracion tjetër. Shqipëria posaçërisht e ka degraduar veten deri në vajtim, duke injoruar historinë e kombformimit e të shtetndërtimit, ku Manastiri do të duhej të ishte një pishtar ndriçues. Prandaj shqiptarët në Maqedoni janë të vetmuar, jo vetëm edhe në këto zgjedhje, por në tërë jetën e tyre politike, kulturore e shoqërore.

Me gjithë këtë ambient të pafavorshëm qytetarët shqiptarë në Maqedoni zgjedhjen në këto zgjedhje parlamentare e kanë të lehtë: 1. U mjafton të mos mashtrohen nga ata që i kanë mashtruar tash sa vjet; 2. U mjafton ta dinë se ndryshimet me votë mund të bëhen; dhe 3. U mjafton nëse e kuptojnë se ata janë të rëndësishëm në Maqedoni, por edhe në botën shqiptare. Prandaj, një votë e tyre, që do ta shprehte zhgënjimin me mashtruesit e vjetër politikë dhe identifikimin e fuqishëm me forcat e reja politike, të pakorruptuara e të pashitura, mund ta fillojë ndryshimin në Maqedoni, duke eliminuar nga pushteti mashtruesit që më shumë se një decenie kanë abuzuar në emër të shqiptarisë. Nëse do të arrihej rezultat në çmontimin e strukturave të vjetruara kriminale, ai rezultat do të bënte një shërbim të madh edhe për Shqipërinë e Kosovën, sepse do të ofronte një model se si eliminohen me votë mashtruesit edhe në këto dy shtete shqiptare, që nuk po e gjejnë kurrqysh shtegun për të dalë nga tranzicioni kaotik. Pra, edhe pse të vetmuar, të injoruar e të diskrimunuar, shqiptarët në Maqedoni paraqesin forcë reale dhe kanë fuqi të bëjnë ndryshime. Vetëm u duhet të mësohen që të ndjekin me vendosmëri interesat e veta reale, t’i harmonizojnë ato interesa edhe me partnerë adekuatë nga sllavomaqedonasit (që do të thotë kurrsesi me VMRO-DPMNE-në!) dhe të tregohen plotësisht kredibilë me partnerët atlantikë.