Prokurorët e PSP-së nesër përsëri do të dorëzojnë prova dhe argumente për kërkesën për paraburgim të biznismenit Sead Koçan, pasi të premten Gjykata e Lartë vendosi të shfuqizojë vendimet e mëhershme të Gjykatës Themelore Shkupi 1 dhe Gjykatës së Apelit.

Nga PSP njoftuan se është paraparë takim për nesër në orën 10, ku gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale do të vendosë për kërkesën për paraburgim të Sead Koçan.

Sipas informacioneve që ka publikuar TV Telma, Koçan është kthyer në Maqedoni të premten para mesnate, përmes vendkalimit Tabanovcë, ndërsa avokati i tij kishte pohuar se Koçan ndodhet në udhëtim zyrtar.

Pronari i ndërmarrjes “Trans Met”, Seat Koçan, është i dyshuari i parë në rastin “Trust”, kurse i dyshuari i dytë dhe i treti janë drejtori i “Sileks Nemetali”, Vasilije Aviroviq dhe drejtuesi i ndërmarrjes “VATO” nga Shkupi, Safet Vatiq.

Sipas hetimit të PSP-së, të dyshuarit kanë falsifikuar dokumente me të cilat kanë marrë tenderë prej 17.2 milionë euro nga ELEM për gërmim të qymyrit dhe mbetjeve nga miniera “Suvodoll”. Këto tre ndërmarrje në tender janë paraqitur si konzorcium, ndërkaq bartësi kryesor ka qenë “Trans Met”.