Prokuroria Speciale Publike në kumtesën e sotme thekson se edhe më tej vazhdon bashkëpunimi me Gjykatën Themelore Shkupi 1 Shkup.

Më 20.01.2017, gjykatësit kujdestar pranë Sektorit për krim të organizuar dhe korrupsion në Gjykatën themelore Shkupi 1 Shkup, siç thonë nga PSP-ja, janë parashtruar disa kërkesa për dhënien e urdhrave për bastisje. “Kërkesat kanë të bëjnë me procedura të ndryshme parahetimore dhe hetimore të cilat i zbaton kjo prokurori publike. Në shtesë të kërkesave tona u dorëzuan dëshmi dhe bisedime nga ndjekja e paligjshme e komunikimeve nga të cilat rrjedh kompetenca e kësaj Prokurorie Publike. Edhe pse kërkesat iu dorëzuan gjykatësit kujdestar, megjithatë për arsye të panjohura për këtë Prokurori Publike, gjykatësi kujdestar u ndërrua dhe kërkesat iu ndanë gjykatësve të tjerë në procesim”, qëndron në kumtesën e PSP-së.

Vendime për kërkesat, thonë nga PSP-ja, janë sjellë pas skadimit të afateve ligjore, me çka procedura zvarritet dhe pamundësohet urgjenca në veprim. Theksojnë se Ligji për vepër penale parasheh afate të shkurta edhe atë pas kërkesave për dhënien e urdhrave për bastisje, gjykatësi është i obliguar të sjellë vendim në afat prej 12 orësh dhe përderisa shpreh mospajtim, atëherë Këshilli penal duhet të vendosë në një afat prej 24 orëve shtesë.

“Nga gjykata u dha vetëm një urdhër për bastisje edhe atë në ditën 25.01.2016, me ç`rast nga ana jonë është kryer bastisje në një lokacion në Shkup, për nevojat e procedurës hetimore në lëndën nën titullin punuese `Titanik`”, thonë nga PSP-ja, duke theksuar se të gjitha kërkesat e tjera për dhënien e urdhrave për bastisje, të cilat kanë të bëjnë me ish- funksionarët e lartë dhe të tanishëm, janë refuzuar.

Në kumtesë është theksuar se gjykatësit për procedurën paraprake të cilët iu janë ndarë këto lëndë, gjykatësja Elena Josifoviq dhe gjykatësja Aleksandra Pop Stefanija shprehën mosmarrëveshje për kërkesat për përcaktimin e urdhrit për bastisje, ndërsa këshillat gjyqësor në përbërje nga gjykatësit Lubinka Basheska, Goran Boshevski dhe Vlladimir Pançevski, nga gjykatësit Vlladimir Pançevski, Lenka Davitkova, Diana Gruevska Ilievska dhe Ivica Stefanovski i kanë mbështetur mospajtimet e shprehura të gjykatësve për procedurën paraprake.

Nga PSP-ja thonë se deri te to ende nuk janë dorëzuar regjistrimet, e as incizimet nga seancat e mbajtura me rastin e propozimeve të parashtruara prokuroriale në rastet për dhunën në komunën Qendër dhe për dokumentacionin e shkatërruar në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.