Policia e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e 35 vjeçarit i cili ndërroi jetë përderisa ishte duke punuar në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër Kaçanikut. 

Lajmi është konfirmuar edhe nga policia në rajonin e Ferizajit. Zëdhënsi i PK-së, Agim Gashi ka thënë se i ndjeri është goditur nga një kamion në punishte.

“Rasti ka ndodh sot rreth orës 8:40, sipas informatave të para i ndjeri (35 vjeç) është goditur nga një kamion në punishte”, ka thënë Agim Gashi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt.

Personi sipas të dhënave të Policisë ka ndërruar jetë pasi është goditur nga një kamion i cili po barte ujë për punëtorët në pikën e fshatit Kovaçec në Kaçanik, ku po ndërtohet autostrada “Arbën Xhaferi”

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ngushëlloi sot familjen e punëtorit të vdekur në mëngjes në punishten e “Bechtel- Enka”.

“Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes së të ndjerit dhe po ashtu do të jemi afër tyre”, shkroi Lekaj në Facebook.

Ministri bëri të ditur se do ta takohet sot për të diskutuar në lidhje me këtë vdekje me përfaqësues të Bechtel-Enkas.

“Jemi në kontakt me drejtorin e projektit dhe kompaninë mbikëqyrëse dhe shpejt do të kemi edhe një takim me të njëjtit për këtë çështje”, shkroi më tutje Lekaj.

Lekaj tha se me rrethanat e vdekjes do të merren policia dhe hetuesia.

“Tani e tutje janë organet përgjegjëse të policisë dhe organet tjera të hetuesisë që do të merren në këtë çështje, se pse dhe si ka ndodhë ky rast”, përfundoi Lekaj.