Nga Forumi Ekonomik i Shën Peterburgut, presidenti rus Vladimir Putin i ka kërkuar amerikanëve të ndalojnë “histerinë” e tyre mbi marrëveshjen e pretenduar mes Rusisë dhe presidentit amerikan Donald Trump. I pyetur nga një gazetar amerikan nëse Rusia kishte arritur një marrëveshje sekrete me Trump për zbutjen e sanksioneve amerikane ndaj Moskës, Putin sërish mohoi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e fituara nga Trump. Ai u shpreh se këto pretendime janë të dëmshme për marrëdhëniet ndërkombëtare, sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit. Jashtë kritikave të presidentit rus nuk mbeti as Perëndimi, që ai e akuzoi se prej kohësh ka ndërhyrë në mënyrë sistematike e të ashpër në çështjet e brendshme ruse.