Cila është marrëdhënia e SHBA-së me Shqipërinë pas fitores së Donald Trump? Kjo nuk është një pyetje që merr për bazë spekulimet keqdashëse, por fakte publike e politike që lidhen së pari me qëndrime të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Tashmë është bërë e njohur se ky i fundit u bë pjesë e fushatës elektorale në SHBA me disa deklarata të personalizuara ndaj Trump, që sot është presidenti i këtij vendi. Pak ditë më parë, kryeministri deklaroi se ai ka “sulmuar kandidatin por jo presidentin”, me të cilin nuk ka kontakte.

Problemi që rrjedh nga këto deklarime, të cilat do të shihet në të ardhmen nëse do të prodhojë kosto ose jo, vijon edhe me qëndrimin e qeverisë pas zgjedhjeve. Deri më sot dihet vetëm një mesazh urimi nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati për fitoren e Trump në Facebook, por jo një mesazh zyrtar.

ResPublica pyeti për këtë çështje në rrugë telefonike këshilltarin e Kryeministrit për mediat, Endri Fuga, i cili nuk u përgjigj. Po kështu, një pyetjeje për këtë çështje në Departamentin Amerikan të Shtetit, mori si përgjigje: Ju duhet të pyesni qeverinë shqiptare.

Por me situatën aktuale, qeveria shqiptare ka si interes momental autizimin politik, sa kohë që duket se është vetë e paqartë se nga do të marrin punët. Kjo qoftë për gafën e Edi Ramës, qoftë edhe për paparashikueshmërinë e presidentit amerikan. Deri më sot kontakte publike me administratën e re ka patur vetëm Fatmir Mediu, që arriti të shkëpusë një foto me Rex Tillerson.

Marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë në Shqipëri kanë qenë simbolike. Ose më mirë: te shqiptarët janë shitur deklarata dhe ndonjë foto me presidentin e radhës, që kanë shërbyer si ato pasqyrat për indigjenët.

Edhe kur thuhet se SHBA janë “aleati ynë strategjik”, fraza ka më tepër një kumbim thelbësor për stabilitetin psiko-politik të shqiptarëve sesa ndonjë përmbajtje reale. Kjo ngaqë partneriteti strategjik funksionalizohet ose nga një pozitë specifike, ose nga ndonjë raport real dhe proporcional. Asgjë e tillë nuk ngjan të ketë Shqipëria.

Kjo heshtje e qeverisë në përpjekjen e detyrueshme për t’u afruar me administratën e re amerikane, apo për të sqaruar opinionin sesi qëndron e vërteta, vijon të ndërtohet mbi premisën e shqiptarëve indigjenë. Të cilëve tashmë u shiten deklaratat e ambasadorit Donald Lu dhe angazhimi i tij për reformën në drejtësi si garanci se asgjë nuk ka ndryshuar.

Ndërkohë që gjithë bota po shkruan se çdo gjë po ndryshon. SHBA nuk po sheh më njësoj Gjermaninë, BE-në, Rusinë, Kinën dhe Turqinë. Pse vallë për Shqipërinë apo më gjerë për Ballkanin të ketë ngurtësim në pozicion?

Në mungesë të transparencës është logjika dhe arsyetimi që ndihmon për të kuptuar se marketimi i mbështetjes amerikane për qeverinë përmes Donald Lu dhe angazhimit të tij për reformën, në fakt pak lidhet në qëllime me interesat e Shqipërisë. Ajo pretendon të mbahet si garanci e rreme, si instrument artificial stabiliteti politik në një situatë ku edhe vetë koalicioni qeverisës është në destabilizim e sipër.

Aq më tepër merr kuptim kjo ftohje dhe paqartësi në raportet mes SHBA dhe Shqipërisë në drejtim të politikës së jashtme personale të Edi Ramës, qoftë në raport me fqinjët, qoftë në raport me një vend si Irani me të cilin po normalizohen marrëdhnëiet. Një shtet si Shqipëria i qaset rendit ndërkombëtar nën garanci të të mëdhenjve, ose nën tagrin e lojërave të interesave ekonomike të paqarta dhe legallisht të dyshimta. Mund të pyetet pra: nën cilat garanci zhvillohet politika e jashtme aktuale, të paktën në vendimet e diskutueshme që kanë vënë përballë minsitrin e Jashtëm dhe Presidentin, apo edhe në drejtim të fqinjve?

Në finale duhet thënë se Edi Rama dhe qeverisja e tij, njësoj si ndaj shqiptarëve, edhe me miqtë e partnerët e huaj ka provokuar zhurmë më shumë sesa punë. Çdo iniciativë e ndërmarrë, qoftë edhe Procesi i Berlinit, është e qartë se është shfrytëzuar për synime politike të brendshme, pa prodhuar në fakt asnjë punë konkrete. Karizma e artistit që bën politikë ndryshe është oksiduar aq sa tashmë krijon vetëm bezdi, apo monotoninë e njohur që jep një serial që shikohet disa herë.