Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Energjetikës dhe Industrisë Damian Gjiknuri, inspektoi rafinerinë e naftës në Ballsh, pas kalimit të saj në administrim të ri.

Kreu i qeverisë u njoh nga një prej administratorëve të rinj, se prej një jave, të gjithë repartet e rafinerisë punojnë me kapacitet të plotë.

Nga ana e tij ministri Gjiknuri deklaroi se kjo rafineri ka një histori të dhimbshme, një privatizim të dështuar, një faliment të një kompanie private dhe lënia jashtë çdo lloj interesi, jashtë çdo lloj vëmendjeje të të gjithë njerëzve, të cilët e kishin lidhur fatin me këtë rafineri.

“Një nga sfidat që kishim si qeveri ishte rivënia në punë e përpunimit të naftës në vend, për arsye nga më të ndryshmet, por mbi të gjitha për punësimin e njerëzve dhe për ta mbajtur këtë aset strategjik që edhe Shqipëria, si shumë vende të tjera që kanë naftë, të ketë mundësi të prodhojë naftë. Megjithëse ky është një biznes privat, ne nuk mund të mbyllnim sytë ndaj një problemi të madh social dhe detyra jonë dhe Kryeministri Edi Rama është investuar personalisht që rafinerisë të mos i mungojë nafta. Vetëm biznesi që është rreth kësaj rafinerie, zinxhiri që nga furnizimi dhe pjesa tjetër prodhimi janë disa qindra milionë dollarë që janë pjesë e ekonomisë shqiptare,” u shpreh ministri Gjiknuri.

Pas rivënies në punë, uzina ka rinisur prodhimin e eurodieselit të standardit europian, benzinë super dhe derivate të tjera.

Rafineria gjeneron edhe avull në sasi të tilla që mund të furnizojë, sipas drejtuesve të saj, të gjithë serrat e Mallakastrës.

Kjo, për Kryeministrin, përbën një vlerë të shtuar në mbështetje të bujqësisë për të gjithë zonën e Mallakastrës.

“Ne duhet ta synojmë këtë, të arrijmë sasinë e avullit që të furnizojmë gjithë serrat e Mallakastrës dhe t’i japim një bum gjithë zonës nga pikëpamja bujqësore”, tha Rama.

Uzina e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh ka rifilluar punën me kapacitet të plotë. E shtrirë në 104 hektarë dhe me një histori të gjatë që prej ndërtimit në vitin 1978, rafineria prej më se një viti kishte mbyllur dyert si rezultat i falimentimit të kompanisë. Rafineria e Ballshit vlerësohet një aset strategjik në industrinë e naftës. Mbyllja e saj u kthye edhe në një plagë sociale, duke lënë të papunë mijëra banorë të zonës