Federica Mogherini është treguar mjaft e drejtpërdrejtë duke i dërguar një mesazh politikës shqiptare, e sidomos opozitës.

Ajo u shpreh gjatë një konference pas takimit me Ramën se bojkoti i opozitës është qartazi një bllokim i reformës në drejtësi dhe e vettingut.

Sipas zyrtares së BE, kjo do të thotë edhe bllokim të procesit të anëtarësimit të vendit në BE.

Totalisht pro këtyre fjalëve ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili bëri dicka të pazakontë. Pas fjalëve të Mogherinit, teksa kjo e fundit shtrëngoi duart me Ramën, kryeministri pohoi i lumtur para medias: “Më qartë se kaq s’ka”, sikur donte të miratonte fjalët e zyrtares së BE.

Ndërkohë që mes kreut të qeverisë dhe Mogherinit do të ketë edhe një darkë pune, ku ashtu siç tha dhe vetë Rama çështjet e rajonit do zënë kohën më të madhe të diskutimeve.


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e konsideroi mjaft të rëndësishme vizitën e sotme në Tiranë të Përfaqësueses së Lartë të BE-në për Politikën e Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, pasi vendoset fati i negociatave me BE-në përmes zbatimit të reformës në drejtësi dhe ligjit të vetting-ut.
“Ndaj për këtë arsye kjo vizitë është më e rëndësishme, se sa në ditë të zakonshme dhe për këtë arsye ne patëm edhe një bashkëbisedim, si gjithmonë miqësor, të drejtpërdrejtë dhe konkret”, u shpreh kryeministri në deklaratën për shtyp, pas takimit me zyrtaren e lartë të BE-së.

Rama u angazhua se do të vijojë intensivit puna për përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe, pasi siç tha ai, ato do të na shoqërojnë dhe përtej hapjes së negociatave.

“Jemi të bindur se kemi hyrë në një proces të përbashkët pune që të fitojmë kohë për negociatat. Kjo do të dëshmojë se Shqipëria është gati të negociojë për anëtarësim”, theksoi kryeministri ne deklarate.

Kreu i qeverisë shqiptare ka bërë me dije se gjatë takimit me Mogherinin janë prekur edhe çështje të natyrës rajonale, për të cilat, siç ka thënë ai, bisedimet do të vazhdojmë.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini ripërsëriti mesazhin se Bashkimi Evropian është gati të çelë negociatat me Shqipërinë, në momentin që zbatimi i reformës në drejtësi e në veçanti vettingu, do të fillojnë.

Ajo pohoi se radhën tani e ka Shqipëria dhe BE është e gatshme të shikojnë progresin e kësaj reforme.

“Unë kam qenë e qartë në takimet e mia. Kam thënë që ata që po përpiqen që të vonojnë ose të ulin ritmin e reformave do të rrezikojnë integrimin në BE”, tha Mogherini.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, u shpreh më tej se Shqipëria ka arritur shumë në veçanti, sa i përket miratimit unanim të reformës në drejtësi, e cila është një reformë shumë e rëndësishme.

Por, kjo tha ajo, do të arrihet në varësi të ecurisë së zbatimit të reformës në drejtësi e në veçanti Vetingut, rivlerësimit dhe prioriteteve kyçe, këtu përfshihet lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar kultivimit të lëndëve narkotike.

Mogherini u shpreh se qytetarët e shqiptarë qartësisht duan të bëhen vend anëtar dhe BE është i gatshëm serioz dhe konsistonte në çeljen e negociatave.

“Unë kam qenë e qartë se bojkoti i Parlamentit do të thotë bllokim i krijimit të komisionit të vettingut dhe de fakto kjo ndal procesin e progresit të Shqipëri në BE dhe kjo në një moment kur vendi juaj ka mundësinë e vërtetë të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së.

Mogherini e vlerësoi pozitivisht edhe ftesën e pozitës për t’u ulur në negociata me opozitën. “Ka pasur sinjale sot për një hapësirë përsa i përket dialogut dhe shpresoj që kjo hapësirë të përdoret që të ketë ecuri në këtë rrugë, sepse dera e BE e hapur për Shqipërinë dhe ne me zor presim t’u urojmë mirëseardhjen dhe negociatat mund të fillojnë në momentin që reforma do të fillojë të zbatohet”, nënvizoi Mogherini.

Por, Mogherini shprehu besimin se është kyçe që të bëhen përgatitje për zgjedhje të lira e të ndershme. “Të përdoren disa nga rekomandimet e OSBE/ODHIR-it dhe BE do të jetë e gatshme ta shoqërojë e mbështesë këtë proces me të gjitha mënyrat tona të mundshme”, tha ajo.

Lidhur me rajonin, Mogherini tha se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon.