“Ndëshkim për të gjitha strukturat pritëse që derdhin ujërat e zeza në det”, paralajmëroi të premten Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në hapjen e edicionit të 2-të të “Panairit Mesdhetar të Turizmit, Tirana 2018”.

Strukturat pritëse, sipas Kryeministrit, kanë marrë prej disa kohësh një lajm shumë të qartë nga qeveria: “nuk do të lejojmë dhe do të ndëshkojmë struktura pritëse në bregdet që derdhin ujërat e zeza në det”.

Kryeministri kërkoi që këto struktura të marrin masat për t’ u pajisur me sistemet e depurimit dhe për të garantuar se domosdoshmëria e aktivitetit të tyre të mos kthehet në një kosto për mjedisin, vizitorët dhe imazhin e vendit.

“Në këtë sezon mbase nuk do të arrijmë të bëjmë gjithçka, por kush do të gjendet në shkelje të këtij kushti, nuk do të tolerohet dhe rrezikon të humbasë të gjitha të ardhurat e pritshme nga sezoni turistik”, tha Rama, raporton Atsh.

Ai theksoi se, qeveria është përgatitur dhe po vazhdon shumë seriozisht për të garantuar një rritje të disa parametrave të sezonit turistik si pastërtinë dhe sigurinë”.

“Po ashtu edhe për krijimin e elementëve të rinj që kanë të bëjnë me mundësitë për turistët për të pasur përtej orëve në plazh edhe destinacione të ndryshme ku do të organizohen në festa lokale të traditës apo aktivitete të tjera të karakterit turistiko-kulturor”, tha Rama.