Kryeministri Edi Rama, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe të tjerë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, ishin të pranishëm në prezantimin e strategjisë kombëtare antikanabis për vitin 2017.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama theksoi përpjekjet e qeverisë në 4 vite për të zhdukur një herë e përgjithmonë fenomenin e kultivimit të kanabisit, ndërsa shtoi se kjo është një luftë e vazhdueshme për Policinë e Shtetit.

Megjithatë Kryeministri nuk mund t’i shpëtonte një krahasimi me të kaluarën, kur tha se ‘Republika autonome e Lazaratit’ mbrohej me një vendim politik.

“Përpara 3 vjetësh ka qenë koha kur republika autonome e Lazaratit gëzonte mbrojtje të shpallur politike. Të gjithë ju e kujtoni paraardhësin tim kur publikisht deklaronte se zhvillimi i posaçëm i Lazaratit ishte vendim politik. Nuk ka qenë para 300 vjetësh as para 30 vjetësh koha kur ky vendim i posaçëm mbështetej me infrastrukturë të posaçme. Autobotet e ujësjellësit ujisnin plantacionet e kësaj republike autonome që e njollosi Shqipërinë. S’ka qenë as para 300 vjetësh as para 3 vjetësh por para 3 vjetësh koha kur në këtë godinë formuloheshin komunikata sekrete për publikun dhe për median. Edhe pse Lazarati ishte aty nuk besoj se ndonjë prej jush nuk e mban mend një kronikë të vetme lajmesh për autobotet dhe zjarrfikëset që ngjisnin kodrën e “Montekarlos” së Shqipërisë për të ujitur plantacionet, me policinë që i nderonte”, tha Rama.

Duke theksuar se Plan i Ri Kombëtar në luftën antikanabis do të shndërrojë vitin 2017,si vit të triumfit të shtetit mbi fenomenin 25 vjeçar të kultivimit të lëndës narkotike, Rama solli detaje sesi do të realizohet ky Plan.

“Një plan veprimi që synon futjen në një fazë të re dhe nxitjen institucionale në bashkëpunim. Plan transparent ku cdo institucion, jo vetëm ka kontribuar por do të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë ashtu sikundër dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë. Në fund të vitit do realizojmë një triumf të shtetit mbi këtë fenomen, I cili mund të mos zhduket maksimalisht, por do minimizohet totalisht. Kemi treguar kapacitet maksimal në veprimin me partnerët dhe institucionet ligjzbatuese dhe kemi informacion maksimal se ku dhe si zhvillohet ky fenomen, Sot kemi një plan të qartë të parcelave dhe hartave të fotografuara gjatë viteve. Çdo parcelë do të ketë persona përgjegjës, nga komuniteti, ku dhe SHISH do të luajë rolin e vet. Dhe personat përgjegjës do përgjigjen në kohë reale, për çfarë ndodh për parcelat që kanë në mbikëqyrje. Policia e shtetit dhe trupat e saj do të reagojnë për ta shkatërruar në gjënezë çdo përpjekje për lartësimin deri mbi hijen time të bimëve dhe të sistemeve të ujitjes, për shirjet e të gjitha këto dhe personat përgjegjës do të përgjigjen me kokën e tyre nëse parcelat do të vijojnë ende. Fakti që ata nuk dhanë informacion erdhi nga padijenia apo nga bashkëpunimi me kriminelët”. u shpreh Kryeministri