Duket se ta nevoja për zgjedhjet e ardhshme e ka bërë Ramën, që të rikthejë në forumin më të lartë të Partisë Socialiste ato figura që i ka përjashtuar vetë, menjëherë pasi u zgjodh kryetar.

Bie në sy se shumë prej tyre njihen si ish-përkrahës të flaktë të paraardhësit të Ramës, Fatos Nanos, të cilin kohët e fundit e ka joshur disa herë për të bashkëpunuar.

Kështu në mbledhjen e sotme janë katapultuar në forumin më të lartë të PS-së, Asamblenë e Përgjithshme, figura të njohura në kohën e Nanos, si Et’hem Ruka, Ilir Zela, Bukurosh Stafa dhe Luan Hajdaraga.

Luan Hajdaraga ka qenë ministër i Mbrotjes, kurse Et’hem Ruka ministër Arsimit. Kurse Bukurosh Stafa ka qenë drejtor i Kombinatit Metalurgjik Elbasan, i Shoqërisë Albkrom Sh.A, si dhe deputet. Ai u përjashtua nga partia pasi bashkoi votat me mazhorancën e Partisë Demokratike, gjatë votimit për president të Bamir Topit.

Gjithashtu në Asamblenë e PS-së është futur edhe Ilir Zela, ish-deputet dhe drejtues i lartë i partisë dhe në disa institucione në kohën e qeverisë Nan.

Ndërsa përsa u përket drejtuesve të rinj, mësohet se Taulant Balla dhe Luljeta Dollani janë zgjedhur në postet e n/kryetarëve të asamblesë së re. Kurse Ulsi Manja u zgjodh Sekretar i Asamblesë. Ervin Bushati është zgjedhur Kryetar i Këshillit Mbikqyrës të Financave të Partisë Socialiste. /syri /