Pas lajmeve jo të konfirmuara në orët e para të ditës së sotme, duket se më në fund ka ardhur zyrtarizmi. Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra Ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani, duke propozuar në vend të tij kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është parë paraditen e sotme të hyjë në kryesinë e kuvendit, ku ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit dhe të LSI, Ilir Meta.

Takimi erdhi pas lajmit të publikuar dje në disa media për një largim të mundshëm të Manjanit nga posti i ministrit.

Vetëm disa orë më parë vetë Manjani e ka përgënjeshtruar një lajm të tillë, duke deklaruar se as është shkarkuar dhe as është dorëhequr nga detyra e tij.

Por pak orër më vonë, përmes një njoftimi të zyrës së shtypit Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot lirimin nga detyra të Ministrit të Drejtësisë Z. Ylli Manjani dhe emërimin në këtë detyrë të Z. Petrit Vasili.

Shkresa i  është dërguatr dhe presidentit të Republikës Bujar Nishani.

“Kryeministri Edi Rama ka firmosur lirimin nga detyra të ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani dhe emërimin në këtë detyrë të zotit Petrit Vasili””. Rreth orës 13:00 Ylli Manjani pritet të dalë në konferencë për median. Manjani u emërua pas dorëheqjes së ministrit të LSI-së Nasip Naço më 9 nëntor 2015. /Gazeta-shqip/