Gjykatësja supreme, Lidija Nedelkova është larguar nga Këshilli i cili duhet të vendosë për masën e paraburgimit për biznesmenin Sead Koçan. Kërkesën për shfuqizimin e paraburgimit e dorëzoi Prokuroria e Marko Zvërlevskit. Jozyrtarisht, kryetari i ri i Gjykatës më të lartë në vend, Jovo Vangelovski i cili është edhe kumbar i ish kryetarit të Kuvendit Trajko Veljanovski, e ka ndërruar vetëm Lidija Nedelkovën. Sipas informatave, në vend të Nedelkovës e cila është gjykatëse në sferën e veprave penale, Vangellovski në këshillin penal ka vendosur gjykatës nga sfera e çështjeve civile. Tani për tani shkaku për këtë rotacion dhe për largimin e ish kryetares së Gjykatës Supreme nga vendimmarrja për vlefshmërinë e paraburgimit për biznesmenin Koçan mbetet enigmë. Por, jo zyrtarisht rikomponimi i Këshillit bëhet për shkak të frikës se në përbërje të tillë të gjykatësve suprem vetëm se do ta konfirmonin vendimin e Gjykatës Penale dhe të Gjykatës së Apelit dhe pronarit të televizionit Nova do t’i mbetej masa e paraburgimit për shkak të frikës nga arratia.

Kërkesa e Prokurorisë së Marko Zvërlevskit të shfuqizohet paraburgimi për Sead Koçan dhe lënda sërish të kthehet në rigjykim nuk erdhi krejt rastësisht. Kërkesa u bë më 27 mars. Paraprakisht, kryetari i Gjykatës Supreme Jovo Vangelovski u taku me kryeprokurorin Marko Zvërlevski dhe me avokatin Nikola Dodevski i cili përveç që është kryetar i Odës së Avokatëve ai e përfaqëson biznesmenin Koçan në rastin Trust të ngritur nga Specialja. Kërkesa e Zvërlevskit për shfuqizimin e paraburgimit për Sead Koçan, nxiti reagimin e Speciales. Katica Janeva e tërhoqi kërkesën me arsyetim se dokument të tillë nuk mund të dorëzojë Prokuroria e rregullt pasi për të gjitha rastet që dalin nga materialet e përgjuara e vetmja kompetente është Prokuroria Speciale. Përveç kësaj, Janeva kërkoi edhe largimin e kryetarit të gjykatës, Jovo Vangelovski nga Këshilli i cili vendos. Ata dyshojnë se ai do të jetë i njëanshëm, ndërsa një nga arsyet është se ai ishte pjesë e bombave të publikuara nga opozita. Vërtetësinë e asaj bisede e konfirmoi vetë Vangellovski, ndërsa biseda ishte zhvilluar mes tij dhe ish ministrit të transportit Mile Janakieski në rastin Global.

Zyrtarisht paraburgimi për biznesmenin Koçan u shqiptua saktë para një muajve. Që atëherë ai gjendet në arrati, ndërsa policia atë e kërkon me fletarrest ndërkombëtar. Specialja e akuzon biznesmenin Koçan se me dokumentacion të falsifikuar ka fituar tender nga kompania shtetërore ELEM për gërmim në Tec Manastiri në vlerë prej mbi 17 milion euro.