Nuk dihet nëse kreu i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski është paraqitur, apo do të merret në pyetje në Prokurorinë Speciale Publike për rastin “Titanik”? Në esencë, kjo është pyetja kryesore që Alsat M sot e parashtroi deri tek prokurorja speciale Katica Janeva dhe tek shërbimi për shtyp i partisë në pushtet. As Specialja e as VMRO-DPMNE nuk iu përgjigjën pyetjes sonë.

Kjo heshtje vjen pasi Nikolla Gruevski javën e kaluar shkoi dy ditë para kohe në kongresin e Partive Evropiane Popullore në Maltë, dhe për këtë arsye nuk u paraqit në seancën e caktuar në Speciale. Informacionet jozyrtare nga hetimi ishin se është dërguar një ftesë e re për në “ditët në vijim”. Por përsëri, askush nuk jep informacione zyrtare nëse ka qenë ashtu dhe çfarë ka ndodhur. Marrja në pyetje e Gruevskit për “Titanikun”, pritet më shumë se tre javë. Në mes të muajit të kaluar, ekipi i Katica Janevës paralajmëroi se së shpejti do të ketë një aktakuzë për këtë rast, lidhur me ndikimin në ciklet e mëparshme zgjedhore. Edhe pse kaluan thuajse një muaj nga ai paralajmërim, aktakuzë ende nuk ka. Misteri është nëse mbrojtja e Gruevskit dhe e funksionarëve tjerë tashmë kanë ka filluar t’i inspektojnë dëshmitë në atë rast.