Ndalimi liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Francë, me një fletarrest të lëshuar nga Serbia në 2014-ën, ka mobilizuar institucionet e Kosovës, të cilat kanë ndërmarrë masat për lirimin e tij.

Institucionet e vendit i kanë dërguar shkresë Ministrisë së Drejtësisë të Francës, përmes së cilës kanë kërkuar lirimin e ish-kryeministrit dhe ish-deputetit Ramush Haradinaj.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës konsideron se të gjitha urdhër-arrestet ndërkombëtare, të lëshuara nga Serbia për shtetasit e Kosovës për veprat penale kinse të kryera në Kosovë, janë të paligjshme dhe të papranueshme, raporton KTV.

Por, reciprocitet është kërkuar nga partia që e udhëheq vetë Haradinaj. AAK-ja, përveç që kërkon të veprohet në mënyrë reciproke me zyrtarët serbë, kërkon edhe ndërprerje të dialogut deri kur Serbia të tërheqë të gjitha aktakuzat ndaj kosovarëve.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i bëjë presion Serbisë që t’i tërheqë fletarrestet ndërkombëtare. Por, shteti serb po e kërkon ekstradimin e Haradinajt në Serbi.

Arrestimi i kreut të AAK-së po konsiderohet i padrejtë e i papranueshëm nga udhëheqës institucionalë e akterë politikë të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur absurd arrestimin e Ramush Haradinajt. Arrestimin e Haradinajt e ka dënuar edhe kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati.

“U bëj thirrje autoriteteve franceze, si një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke e liruar menjëherë Ramush Haradinajn”, thekson Bushati.

Edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se është befasuar nga lajmi për ndalimin e kryetarit të AAK-së./raport i KTV-së/