Rusia sërish është prononcuar për krizën në Maqedoni. Ministria e Punëve të Jashtme ruse nëpërmjet një njoftimi zyrtar në faqen e saj të internetit shpreh, siç thuhet, “shqetësimin për thellimin e krizës politike në Maqedoni të provokuar nga ndërhyrjet e ashpra nga jashtë në punët e brendshme të vendit”.

“Maqedonisë, me ndihmën edhe të vendeve të NATO-s, po përpiqet t’i imponohet e ashtuquajtura ‘Platforma shqiptare’, e arritur në Tiranë në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë. kjo sjell Shqipërinë e Madhe, duke e ilustruar me pretendime territoriale ndaj zonave të mëdha të Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë. Është veçanërisht shqetësuese se në këtë Platformë ishin të përfshirë dhe autoritetet e shpallura në mënyrë të njëanshme të Pavarësisë së Kosovës. Ne besojmë se kjo linjë është jashtëzakonisht e rrezikshme, qëllimi i së cilës është shkatërrimi i shtetit të Maqedonisë dhe destabilizimi i Ballkanit si tërësi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme ruse.

“Do të donim të përkujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit, që u mbajtën me këmbënguljen e SHBA-ve dhe BE-së, u shënua fitorja e partisë aktuale në pushtet nga Nikolla Gruevski. Tani, Perëndimi dëshiron që nëpërmjet pakicës shqiptare, të sjellë në pushtet opozitën dhe të pranojë kërkesat e shqiptarëve, duke çuar kështu në shkatërrimin e themeleve kushtetuese të vendit. Përpjekjet e vazhdueshme destruktive dhe të imponuar nga jashtë, në kundërshtim me vullnetin e votuesve të Maqedonisë, vetëm mund ta përkeqësojë situatën. Është e nevojshme të ndalohen ndërhyrjet e huaja në punët e brendshme të Maqedonisë. Qytetarët e Maqedonisë duhet të respektohen dhe të vendosin vet për fatin e tyre në përputhje me parimet themelore demokratike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.