Televizionet kryesore në vend i janë drejtuar me një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësuesit e mediave janë njohur me materialet e dërguara nga Bordi i Monitorimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në letër thuhet se këto materiale ligjore të dërguara konsistojnë në Kodin Zgjedhor si dhe rregulloren e Bordit të Monitorimit të Mediave.

Nga leximi i tyre konstatohet një ndryshim i dispozitave ligjore sa i përket transmetimit të reklamave të partive politike gjatë fushatës elektorale dhe sanksioneve me gjobë për rastet e
moszbatimit të tyre.

Ligji për Mediat në Republikën e Shqipërisë, i cili rregullon veprimtarinë radiotelevizive, neni 39, reklama politike, thotë se, “Gjatë periudhës zgjedhore transmetimi i reklamave politike bëhet sipas dispozitave të ligjit Nr.10019, Kodit Zgjedhor si dhe ligjit Numër 8580 “për partitë politike”.

Referuar këtij neni të ndryshuar pak ditë më parë konstatojmë se: Në Kodin Zgjedhor në fuqi, Neni 84, veç të tjerash, parashikohet se radiot dhe televizionet private të cilat pranojnë reklama me pagesë, gjysmën e kohës totale të reklamës t’ua vënë në dispozicion falas subjekteve zgjedhore.

Gjithashtu në rastet e shkeljeve të kërkesave të këtij neni, parashikohen gjobë me 2.000.000 lekë për radio dhe televizionet vendor dhe 3.500.000 lekë për radio dhe televizionet kombëtare.

Në Ligjin Nr.8580, për partitë politike, të ndryshuar, neni 24/5, veç të tjerash parashikohet se radiot dhe televizionet private detyrohen që të vendosin në dispozicion falas për subjektet zgjedhore të gjithë reklamat që transmetohen gjatë fushatës.

Gjithashtu për rastet e shkeljeve të këtij neni parashikohen gjoba prej 4.000.000 lekë për operatorët vendorë dhe 8.000.000 lekë për operatorët kombëtarë.

Nga sa vihet re, referenca që na bën ligji i mediave se për reklamat në fushatë duhet t’u referohemi dy ligjeve të mësipërme, ka një kontradiktë të madhe dhe mospërputhje.

Në kushtet kur për të njëjtin shërbim parashikohen dy dispozita dhe kritere të ndryshme, e kemi të pa mundur t’i zbatojmë parashikimet e të dy ligjeve njëkohësisht.

Mediat televizive pasi u konsultuan me juristët dhe avokatë të njohur në vend, referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që përcakton hierarkinë dhe procesin ligjvënës, “Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Vendore”, është ligj që parashikohet në Kushtetutë dhe renditet në ligjet që miratohet me shumicë të cilësuar prej 3/5 e deputetëve të Kuvendit, ndërsa ligji për Partitë Politike apo ligji për Median Audiovizive nuk janë ligje që parashikohen në Kushtetute, pra janë ligje të thjeshta dhe që miratohen edhe me gjysmën e deputetëve plus 1 të deputetëve të pranishëm, ne, përfaqësuesit e mediave nënshkrues, unanimisht vendosem t’u njoftojmë se:

Ligji i zbatueshëm për transmetimin e reklamave të partive politike në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme, 25 qershor 2017, është Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, i cili prevalon mbi ligjin për partitë politike, i ndryshuar.

Lutemi njoftoni subjektet elektorale të regjistruara në zgjedhje që të marrin masa për zbatimin e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, nenit 84, të miratuar me konsensus prej tyre.

Top Channel

Tv Klan

Vizion Plus

News 24

Ora News

Report TV

ABC News

Cannel One

Top News

In tv

/ Top Channel