BDI nuk sqaron pozicionin e saj nëse do të koalicionojë me Gruevskin edhe pas retorikës së tij anti NATO dhe BE të intensifikuar ditëve të fundit. Zëdhënësi I BDI-së Bujar Osmani, thotë se kjo parti mbetet e rreshtuar përkrah faktorit ndërkombëtar por nuk përgjigjet nëse kjo do të thotë se heqin dorë nga formimi i qeverisë me partnerin e deritanishëm, raporton Alsat-M.

“Ne nuk kemi partner strategjik te partitë maqedonase, adresa jonë për bashkëpunim janë pesë zotimet të cilat i kemi parashtruar që në fushatë parazgjedhore. Ne mbetemi në qëndrimin se gjithçka e mirë që i ka ndodhur këtij shteti i ka ndodhur në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar. Tani po presim konfirmimin e rezultateve nga KSHZ pastaj do të ulemi dhe do të ndërtojmë qëndrim në parti sa i takon bashkëpunimin në të ardhmen me cilëndo parti politike maqedonase”, tha Bujar Osmani, zëdhënës I BDI-së.

Nga PDSH nuk komentuan fushatën anti-perëndimore të nxitur nga Gruevski. Ndërsa nga Lëvizja Besa thonë se retorika e Gruevskit dëshmon se ai nuk synon integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

“Partia e njeriut që qeverisi deri më tani, i prirë nga politika diskriminuese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, me gjuhën e përdorur ndaj ambasadorëve të shteteve mike, siç është gjuha e përdorur ndaj ambasadorëve të SHBA-ve dhe të BE-së, dëshmon se Nikolla Gruevski është orientuar në politika që më së paku kanë për qëllim të ardhmen e ndritur të qytetarëve dhe perspektivën e tyre euroatlantike”, shprehen nga Lëvizja Besa.

Nga Aleanca për Shqiptarët ndërkohë fjalorin e Gruevskit e cilësojnë si tentim për destabilizimin e vendit.

”Fjalori i përdorur i Nikolla Gruevskit në bisedat me përfaqësuesit ndërkombëtar, sidomos ndaj ambasadorit të SHBA-ve dhe atij të BE-së, janë fyerje ndaj miqve tanë të kamotshëm perëndimor. Tentimi që të ofrohet destabilizim i vendit, për qëllime të ngushta partiake paraqet rrugën më të keqe të demokracisë”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Kreu i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevskit në protestën e mbrëmshme të partisë së tij përpara KSHZ-së drejtoi tone kritike ndaj ambasadorëve perëndimorë. Gruevski tha se ambasadorët duhet t’i japin fund përzierjes në punët e brendshme të shtetit dhe i akuzoi ata se po përpiqen të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit zgjedhor./Alsat/