Këngëtarja e njohur britanike, Rebecca Ferguson, ka marrë guximin dhe ka rrëfyer për herë të parë një të vërtetë tronditëse të jetës së saj. Ajo shokoi audiencën e emisionit “Loose Women” pasi rrëfeu se dikush kishte abuzuar me të kur ishte e mitur.

“Më kanë abuzuar në një shtëpi fëmijësh. Nuk e kam thënë kurrë më parë.”- tha 30-vjeçarja, vetëm pasi një moderatore ndau me të ftuarit një histori të ngjashme.

“Nuk kam folur kurrë për këtë. I kam thënë vetëm një shoqeje. Sot, meqë ishte tema, mendova se ishte momenti perfekt për të folur për këtë.”-tha ajo dhe tregoi se ngjarja e rëndë ka ndodhur kur ishte 8-vjeçe. Ferguson gjithashtu tregoi sesi kishte ndikuar kjo ngjarje e rëndë në jetën e saj të mëvonshme: “Ndikon në vetëvlerësimin që ke. Më janë dashur vite të tëra për të rifituar siguri në vetvete. Ishte diçka që refuzoja ta mendoja, sikur të mos kishte ndodhur kurrë. Ndihesh e pistë, sikur ke bërë diçka të gabuar.”

“Daily Mail” bën me dije se ylli i hitit “All that glitter” pranoi këshillën e një prej të ftuarave për të bërë disa seanca këshillimi. Për vite me radhë këngëtarja e kishte mbajtur të fshehtë traumën që kishte pësuar, por tani u shpreh se kishte ardhur vërtet momenti për të folur siç duhet për atë që i kishte ndodhur.