Lufta tregtare mes Kinës dhe SHBA-së nuk ka qenë kurrë kaq pranë, Pekini u shfaq i paluhatshëm dje përballë ofensivës së Donald Trump që kërcënon të trefishojë taksat mbi importet kineze.

Deklaratat armiqësore janë bërë të përditshme këtë javë sa nga njëra anë e Paqësorit dhe ana tjetër, raporton ATSH.

“Kina do të luftojë me forcë dhe vendosmëri nëse SHBA-ja do të publikojë një listë të re të taksave mbi importet kineze”, paralajmëroi sot zëdhënësi i ministrisë kineze të Punëve të Jashtme.

“Kjo dëmton interesat jetësore të Kinës dhe dëmton edhe më shumë interesat e përbashkëta të ekonomisë botërore. Të përballur me një situatë të tillë, ne duhet të luftojmë me vendosmëri”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër presidenti amerikan kishte njoftuar se “i ka kërkuar Ministrisë së Tregtisë të shqyrtojë nëse 100 miliardë dollarë shtesë tarifa doganore mund të miratohen duke aplikuar nenin 301 (mbi pronën intelektuale) dhe, në këtë rast, të identifikohen produktet mbi të cilat mund të imponohen”.

Këto tarifa të reja i shtohen rreth 50 miliardë dollarëve taksa që janë vendosur më 3 prill nga Uashingtoni.