Gjysma e dytë e rrugës Shipkovicë – Brodec, ka mbetur në gjendje të mjerueshme edhe pse punimet për riparimin e saj duhet të kishin përfunduar që vitin e kaluar. Moti i ligë dhe vërshimet kanë bërë që të shkatërrohet edhe ura që lidh këto dy fshatra. Banorët, shprehen të revoltuar nga lënia pas dore, nga ana e autoriteteve lokale.

“Rruga momentalisht është tejet e vështirë, e shihni vet si ekip televizioni,  rruga është katastrofë. Presim nga organet sa më shpejtë të bëhet riparimi i kësaj rruge por edhe ura duhet të bëhet”.

“Duhet ata njerëz që kanë për obligim të marrin masa pak më sinqerisht të bëhen më të realët dhe të venë dorën në zemër se si do ishte për ata nëse do e kishin këtë problem, ne si banorë të Brodecit lëvizim për çdo ditë në këtë rrugë dhe kemi shumë probleme”.

“Edhe një asfalt të keq që e patëm, na e hoqën, thanë që do na venë të ri, por gati dy vjet s`ka gjë, përballemi me këtë fatkeqësi me fukarallëk, me veturë shkon deri në Tetovë dhe të nesërmen duhet te mjeshtri ta rregullosh”.

Nga ana tjetër, nga Komuna e Tetovës, pranojnë që ka vonesa në përfundimin e këtij projekti, ndërkohë premtojnë edhe një herë se, asfaltimi i rrugës do të ndodh pas një muaji.

“Nuk them që nuk kanë të drejtë banorët e kësaj ane që ankohen, por po ju them që komuna po bën çmos që edhe ky projekt të realizohet. Para ca ditësh e patëm takimin me ndërmarrjen që e ka fituar tenderin dhe biseduam për atë se nga Agjencia për zhvillim rural  kemi marrë dokumentacionin për zgjatjen e afatit të realizimit të punëve dhe na premtoi se shumë shpejt tani do fillojë me punët në atë rrugë”, tha Isen Demiri. Sektori për komunikacion dhe tokë ndërtimore.

Ky nuk është projekti i vetëm i filluar vite më parë dhe i lënë në gjysmë, por në gjendje të këtillë apo edhe më të keqe, që prej vitesh ka mbetur edhe Bulevardi Bllagoja Toska, Rruga tek stadiumi i qytetit dhe rruga Ivo Ribar Llolla./alsat-m