Vrasja e Ambsadorit rus, Andrey Karlov, i cili u vra teksa po mbante një fjalim në Ankara të Turqisë, është cilësuar nga Rusia si “sulm terrorist”.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakarova ka konfirmuar vrasjen e Karlovit.
Atentatori, i cili është vrarë, në disa video të publikuara dëgjohet teksa bërtet “Allahu Ekber”, përpara se të qëlloi mbi ambasadorin.
Një fotograf i Associated Press që ka qenë në audiencë në vendin e ngjarjes ka thënë se sulmuesi i dyshuar kishte veshur kostum ndërsa ka thirrur “Allahu Akbar” teksa ka shtënë tetë herë.

Zëdhënësi i Kremlinit ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin është informuar për sulmin. Ndërsa në Uashington, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, ka thënë se SHBA-ja e dënon sulmin.

Sulmi është dënuar edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.