Në botën e sotme garanci e madhe për shtetet e vogla siç është Kosova, përbën vetëm NATO, e cila si një fuqi e padiskutueshme, garanton jo vetëm sigurinë e këtyre shteteve, por dhe stabilitet dhe zhvillim demokratik kundër regjimeve dhe individëve që, duan t’u kundërvihen tendencave historike për emancipimin e pandërprerë demokratik të shoqërisë njerëzore.

Aktualisht, Kosova është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që nuk e ka nënshkruar Programin e PfP-së në kuadër të NATO-s, teksa fqinjët si: Shqipëria (1994) dhe Maqedonia (1995) ishin ndër të parat që e nënshkruan PfP-në, më pas këtij programi i’u bashkëngjit edhe Kroacia (2001). Raundi i fundit i nënshkrimit të PfP-së, me shtetet e Ballkanit Perëndimor u arrit në Samitin e Rigës në vitin 2006, ku Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia iu bashkëngjitën Programit.

Problemet e sigurisë përbëjnë një fakt që, është i përbashkët si për shtetet e vogla, ashtu edhe ato të mëdha. Për këto të fundit ky program nuk është vënë në dyshim që prej qindra vjetësh, ndërsa mbijetesa e shteteve të vogla vazhdon të zgjidhet në radhë të parë nga vetë këto shtete.

Deri tani, Kosova është njohur nga pjesa më e madhe e shteteve anëtare të OKB-së, ku përfshihen shumica dërmuese e vendeve më të fuqishme demokratike perëndimore. Megjithatë, ende janë disa shtete të rëndësisë kyçe të cilat nuk e njohin Kosovën. Mes këtyre vendeve vlen të përmenden, dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia dhe Kina, si dhe pesë shtete anëtare të Bashkimit Europian, katër prej të cilave janë gjithashtu anëtare të NATO- s; Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia. Refuzimi i tyre për të njohur Kosovën, ka ngadalësuar rrugën e saj drejt procesit integrues rajonal dhe Euro-Atlantik, pavarësisht nga përpjekjet e qeverisë së Kosovës.

Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërtuar bazën më të madhe ushtarake në rajon, e cila mban emrin e heroit të luftës së Vietnamit James Leroy Bondstël, dhe konsiderohet si një investim që, të paktën deri tani ka kushtuar 300 milion dollarë.

Rishikimi i qasjes së NATO-s ndaj Kosovës patjetër që do të shkojë drejt zëvendësimit gradual të rolit të saj aktual, e që ushtrohet përmes pranisë direkte fizike, në favor të një mbështetje më të theksuar ndaj institucioneve të Kosovës.

Përgjatë viteve fushëveprimi i KFOR-it në Kosovë është transformuar në mënyrë të konsiderueshme dhe mbi të gjitha u reduktua numri i personelit ushtarak. Aktualisht KFOR-i ka rreth 4600 trupa në terren nga të cilat, 650 ushtarakë amerikan.

Planifikimi për reduktim e mëtejshëm të personelit të KFOR-it, radhitet ndër pikat e para në agjendën zyrtare të NATO-s. Kjo pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë në tërë territorin e Kosovës, me përjashtim të pjesës veriore. Me fjalë të tjera, nevoja për praninë e KFOR-it dhe rolin e tij, duhet të fokusohet vetëm në pjesën veriore përderisa në pjesët tjera të Kosovës çështjet të ndërlidhura me sigurinë, veçanërisht ato të sigurisë publike, janë nën autoritetin e Policisë së Kosovës.

Reduktimi i trupave është evidentuar edhe në diskursin ndërkombëtar dhe në dokumente, duke theksuar se misioni i KFOR-it, është i përkohshëm dhe se prania e tij në Kosovë duhet të rishikohet në përpjesëtim me gjendjen e sigurisë dhe dorëzimin e përgjegjësive tek institucionet vendore të sigurisë. Deri atëherë, roli i KFOR-it pritet të jetë thelbësor në mbështetjen e procesit të ndërtimit të kapaciteteve të institucioneve vendore, veçanërisht të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, James N. Mattis, në një raport me shkrim që e ka përgatitur për Senatin, thekson se; “Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të shndërrohet në ushtri”Ai e ka mbështetur dialogun Prishtinë- Beograd derisa ka shtuar se, njohja e sovranitetit të Kosovës nga Serbia do të adresohet para anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Kosova është një shembull se çfarë ndodh kur komunteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga Amerika, angazhohet për të mbrojtur interesat dhe vlerat e saj.Në përgjithësi, do të rekomandoja reduktimet konform me situatën e sigurisë në terren, por mënyra si e kuptoj, është se aktualisht, KFOR-i është vendimtar në sigurimin e stabilitetit në rajon.Për më tepër, para se të jetë i arsyeshëm reduktimi i prezencës së trupave ushtarake amerikane, Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të pranojë urdhërin për të administruar siguri të brendshme dhe mbrojtje territoriale, një zhvendosje e cila do të kërkonte ndryshime kushtetutore me mbështetje parlamentare”, ka nënvizuar Sekretari i Mbrojtjes James N. Mattis.

Këshilltari ushtarak i Presidentit Nishani, gjeneral Piro Ahmetaj komenton se; “Për këdo të shqetësuar dhe të interesuar, ri-konfirmimi i qëndrimit të shprehur nga Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, James N. Mattis, ish-Komandant i NATO-s për Trasformimin, i cili ka theksuar se NATO do të qëndrojë në Kosovë për aq sa ka nevojë. Ky është një mesazh më se i qartë, shumë i drejtpërdrejtë, provë e vizionit, interesave gjeostrategjike dhe qëndrimit të pakompromis të SHBA-së, që meriton mirënjohjen e pa pakufishme, si dhe në vënd të qasjeve propogandistike, zhvillimin e përgjegjshmërive institicionale për ri-vitalizimin e sistemit, projekteve dhe kapaciteteve efiçente për sigurinë dhe mbrojtjen mbarë-Kombëtare”.

Ashtu siç ka shkruar Sekretari i Mbrojtjes James N. Mattis, qasjet patriotike populiste të politikanëve dhe opinionistëve të Prishtinës dhe Tiranës, janë të pavend, por edhe të dëmshme, për kontekstin juridiko-kushtetues të Kosovës, ashtu dhe në atë gjeopolitik e gjeostrategjik. I vetmi vend që realisht kërkon destabilizimin e rajonit është Serbia. Një luftë e Serbisë me Kosovën, nuk është luftë e vetëm këtyre dy shteteve, por praktikisht një luftë e Serbisë me NATO-n. Vetëm një luftë e nisur nga shqiptarët mund të legjitimojë ndërhyrjen e Serbisë, e të nxisë reagimet nga ana e KFOR-it, kundër shqiptarëve të Kosovës.
Autori: Azem Parllaku

burimi: illyriapress.com


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.