Lëvizja për Reforma – PDSH i është drejtuar me anë të një komunikate liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevskit, ku e porosit se “personi që realizoi skenarin e dhunshëm të 27 prillit, tani prej opozite po mundohet gjoja të prishë punë dhe të provokojë politikisht kryetarin e Lëvizjes për Reforma”.

“Po ia bëjmë të qartë këtij personi, se qëndrimin e Lëvizjes për Reforma dhe Ziadin Selës në qeveri nuk mund as ta diktojë e as ta vendosë ai. Ndërsa e kundërta ishte me të. Ishte Ziadin Sela dhe Aleanca për Shqiptarët, ata që e larguan Gruevskin dhe partinë e tij nga qeveria, është Ziadin Sela dhe Aleanca për Shqiptarët faktori kryesor që Gruevski nuk është sot Kryeministër.

Dhimbja është e madhe për ju.

Akoma nuk mund ta përtypni humbjen dhe rënien nga “froni”.

Po ju tregojmë edhe diçka. Ligji për Gjuhën Shqipe do të kalojë, ndërsa juve ju ftojmë të vendojmë bast për fitoren e radhës, për shpejt kohë të Ziadin Selës dhe Lëvizjes për Reforma, të cilën ju dhe klani juaj do ta ndiqni nga Shutka, ku do të përfundoni së shpejti”, thuhet në komunikatën e LR-PDSH-së, transmeton Gazeta Express.

Ky reagim vjen pas paraqitjes së Nikolla Gruevskit  në përvjetorin e Bashkimit të Rinisë së VMRO-DPMNE-së,ku ka provokuar Selën se nuk ka guxim që të lëshojë qeverinë.