Patrick ishte vetëm nëntë muajsh, kur nëna e tij vuri re në mëngjes që nuk i përgjigjej stimujve dhe dukej i palëvizshëm. Mjeku familjar tha se ai kishte nevojë për një ilaç për uljen e temperaturës, por nëna e shqetësuar, megjithatë, shkoi me fëmijën në qendrën emergjente.

Shëndeti i tij u përkeqësua ndërkohë në mënyrë dramatike, ndërsa para mbërritjes në spital Patrick kishte pasur dështim të organeve.

“Kam kaluar më shumë se tre muaj në një spital në Londër. Kam humbur këmbën e djathtë nën gju, krahun e majtë dhe gishtat në të djathtë”, shpjegoi ai.

Patrick sot është 19 vjeç dhe ka studiuar biokimi në Universitetin e Edinburgut, ndërsa ajo që vuante ishte sepsa.

“Ose e njihni dikë që ka pasur sepsë, ose kurrë nuk keni dëgjuar për të”, tha ai për BBC.

Çka është sepsa?

Sepsa shkaktohet nga infeksionet, por në të vërtetë tregon një problem me sistemin imunitar.

Fillon me infeksion që mund të shkaktohet nga ndonjë gjë – nga një infeksion bakterial deri te kontaminimi i gërrvishtjes apo pickim insekti.

Në kushte normale, sistemi imunitar fillon të luftojë infeksionin për të parandaluar përhapjen e tij. Por infeksioni fillon të përhapet me shpejtësi, ndërsa imuniteti ‘egërsohet’.

Reagimi i organizmit është aq i trazuar sa që bëhet jashtëzakonisht i dëmshëm. Kjo gjendje përfaqëson një “sindrom sistematik të përgjigjes në inflamacion” (anglisht: systemic inflammatory response syndrome – apo shkurtimisht SIRS).

SIRS është përcaktuar me kritere shumë të ngurta, por shumica e të gjithë neve e ka të njohur: temperatura e lartë, numri i ngritur i leukociteve në gjak, rrahje të shpejta të zemrës dhe frymëmarrje e shpejtë.

Në rastin kur përveç SIRS-it ekzistojnë shenja të qarta të një infeksioni bakterial ose, më saktë, në qoftë se nga gjaku janë izoluar bakteret, atëherë fjala është për sepsë.

Pra, sepsën mund ta shkaktojë një inflamacion i rëndë dhe i fortë bakterial, ndërsa sepsat e shkaktuara nga mikroorganizmat fungalë dhe parazitarë janë shumë të rralla.

Pasojat më të shpeshta të sepsës janë pneumonia e rëndë dhe infeksionet e traktit urinar, por pothuajse çdo infeksion bakterial mund të kalojë në sepsë.

Sepsa është më e zakonshme tek të moshuarit dhe fëmijët e vegjël, si dhe tek pacientët me sisteme të dëmtuara imunitare (sëmundje kronike) dhe në ata që marrin kortikosteroide, që shtypin sistemin imunitar.

Sepsa mund të ndodhë edhe si rezultat i procedurës kirurgjikale gjatë së cilës ka pasur infeksion.

Simptomat

  • temperatura mbi 38.5 gradë celsius ose më poshtë se 35 gradë
  • rraskapitja
  • më shumë se 90 rrahje të zemrës në minutë
  • më shumë se 20 frymëmarrje në minutë
  • infeksionet e konfirmuara
  • urinimi i zvogëluar
  • ndryshimet në gjendjen mendore
  • frymëmarrje e vështirësuar
  • rrahje të parregullta të zemrës
  • numër i reduktuar i trombociteve në gjak
  • dhimbje barku

Parashikimet

Pa trajtim, dhe ndonjëherë edhe me trajtim, sepsa mund të përkeqësohet.

Pastaj vjen te dështmi i organeve, zakonisht veshkave dhe mëlçisë.

Përshkallëzimi më i keq është shoku septik, ku presioni i gjakut bie nën nivelin e duhur për funksionimin normal të trupit. Kjo gjendje është vdekjeprurëse në më shumë se 50 për qind të rasteve.