Incidenti me trenin me parulla “Kosova është Serbi” ka nxitur edhe serbët e zonës ku ai do të mbërrinte në stacionin e fundit, të dalin në mbrojtje të idesë së Beogradit.

Disa qindra serbë të veriut të Kosovës u  mblodhën në sheshin “Knez Llazar” të kësaj pjese të qytetit të Mitrovicës, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për mosarritjen e trenit nga Beogradi. Ata kanë thënë se janë ndaluar konfliktet e mundshme dhe se ky është një provokim, pasi ka të bëjë me lirinë e lëvizjes.

Në këtë protestë kanë marrë pjesë zyrtarë të zyrës për Kosovën dhe kryetarë komunash e përfaqësues politikë të serbëve në Kosovë. Sipas protestuesve, një përshkallëzim i rëndë i situatës u arrit të shmangej të shtunën falë ndërhyrjes së lavdërueshme të Aleksandar Vuçiçit.

Mesazhi i Prishtinës është i qartë, thanë ata, të rrënojë jetët tona këtu, por e ka gabim nëse mendon se ndihemi të frikësuar. Përderisa qeveria e Beogradit është me ne, askush nuk na frikëson dot, citon shtypi kosovar të pohojnë disa prej tubuesve.

Kosova është Serbi, janë shprehur ata, e ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Të njëjtët persona shtojnë se po të përsëritet një incident i tillë, atëherë do të organizohen bashkë me autoritetet serbe për të mbrojtur atë që e quajnë “shtetin tonë”.

Në protestë foli edhe zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviç, i cili tha: “Nuk kemi harruar se si të ruajmë atë që e kemi trashëguar nga të parët tanë”.