Serbia feston ditën e ushtrisë dhe fitoren kundër fashizmit me transportues, pushkë e armë të reja. Një pjesë e këtyre armëve, që kanë për qëllim mbrojtjen, janë prezantuar për herë të parë si prodhim serb.

Krerët e Serbisë e kanë konsideruar vendin e tyre të sigurtë dhe të gatshëm për mbrotje nga çdo rrezik, si shtet që dëshiron të jetë neutral ushtarakisht.

“Kemi ruajtur traditën shkencore dhe kemi shtuar njohuri të reja. Me këtë i kthejmë mbrapsht të gjithë ata, që mendojnë ta cënojnë në çfarëdolloj forme shtetin tonë”, tha Tomislav Nikoliç, President në detyrë i Serbisë.

Analistët thonë se ekziston demonstrimi i forcës në rajon, por prodhimet e industrisë së armatimit kanë qenë traditë në këtë shtet. Por tanimë qëllimi është arritja e tregjeve të reja, e jo një luftë e re.

“Këtu kanë ardhur edhe njerëz nga Afrika dhe Azia, të cilët e shikojnë këtë armatim. Serbia ka interes që këto prodhime të gjejnë blerës dhe kontratat janë shumë më të rëndësishme sesa përdorimi i tyre si fuqi rajonale”, tha Aleksandar Radiç, analist ushtarak.

Serbia ka trashëguar një pjesë të fabrikave për prodhimin e armatimit nga ish-Jugosllavia, që në kohën e komunizmit ishte një fuqi.

“Serbia është një shtet neutral ushtarakisht në rajon dhe pretendon të mbrohet vet, edhe pse gjithmonë përmendet tema e mundësisë së inkuadrimit në NATO. Zyrtarët serbë kanë deklaruar se do të jenë faktorë të paqes dhe stabilitetit në rajon, edhe pse prodhojnë armë të reja”.