Dy prokurorë të Përgjithshëm, ai i Marylandit dhe Distriktit të Kolumbias, planifikojnë të hedhin në gjyq presidentin Donald Trump për faktin se ka pranuar, sipas tyre, miliona dollarë nga qeveri të huaja për sipërmarrjet e veta, duke shkelur një klauzolë kushtetutese kundër korrupsionit.

“Washington Post” shkruan se shefi i Shtëpisë së Bardhë ia ka transferuar kontrollin e bizneseve të tij dy djemve, Donald Junior dhe Eric, pikërisht për të shmangur konflikte të mundshme interesi gjatë mandatit presidencial.

Por dy prokurorët demokratë, Karl A. Racine dhe Brian Frosh pretendojnë se kreu i adminsitratës ka anashkaluar shumë nga premtimet për t’i mbajtur të ndara detyrimet publike nga interesat private, mes të cilëve edhe zotimin që të informohet rregullisht mbi shëndetin financiar të shoqërisë.

Nëse një gjykatës federal do t’i japë “dritën jeshile” procedurave, një ndër hapat e para mund të jetë kërkesa e një kopjeje të deklaratës së të ardhurave, që Trump deri tani ka refuzuar ta bëjë publike.

Ajo mund t’i ndihmojë hetuesit të shohin në ç’pikë është situata e tij e biznesit jashtë kufijve.  Ankesa bazohet në “klauzolën mbi shpërblimet”, një dispozitë e Kushtetutës amerikane që i ndalon çdo personi me post publik të pranojë dhurata, shpërblime, poste apo tituj të çdo lloji, nga një mbret, një princ apo një shtet i huaj, pa miratimin e Kongresit.

Një padi të ngjashme pati depozituar në janar OJQ-ja antikorrupsion “Citizens for Responsibility and Ethics in Washington”, por ankesa e re është e para e paraqitur nga subjektet qeveritare.