Policia e Shtetit reagoi në lidhje me atentatin me armë të ndodhur në Shkodër.

Sipas forcave blu sot rreth orës 11:15 në lagjen “Partizani” në vendin e quajtur ‘Merkata Rus’, dyshohet se dy persona me motoçikletë kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Fatos Verracaku 31 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Nga të shtënat është plagosur dhe shtetasi Fatmir Mehaj, i cili ndodhet jashtë rreziku për jetën nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Policia e Shkodrës e mbështetur nga FNSH Shkodër ka ngritur pika kontrolli dhe në gjithë zonën ku dyshohet se janë larguar autorët.

Policia ka gjetur dhe një mjet motoçikletë të djegur, që dyshohet se u përdor nga autorët, në lagjen ‘Guerrile”.

“Po punohet intensivisht  për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia  e Shkodrës fton çdo qytetar që ka informacion dhe mund të ndihmojë, të telefojnë falas në nr 112!”, njofton policia.