Shkrimtari e intelektuali, Filip David, ka thënë se zgjidhja më e mirë për Serbinë është njohja e pavarësisë së Kosovës.
David në një intervistë të gjatë për gazetën “Blic”, të Beogradit, ka folur për “trenin rus”, për boritë e luftës dhe për aktualitetin e përgjithshëm në rajon.

Heroi i librit tuaj “Shtëpia e kujtimeve dhe e harrimeve”, hulumton origjinën e frikës nga jehona e trenit. Një tren, këto ditë ka frikësuar shumë kë te ne. Si e keni përjetuar këtë “lojë hekurudhore”?

Ky tren “i portretizuar”, “i dekoruar”, “treni rus”, “kisha në binarë”. Si po e quajnë të gjithë, ai do të mbetet në historinë tonë, edhe ashtu të shënuar me ngjarje bizare, është një nga epodet më joserioz, më i papërgjegjshëm dhe më i rrezikshëm për të cilin në fund askush s’do të japë përgjegjësi. Në rrjetet sociale po mbisundojnë komente humori dhe hidhërimi, në llogari të kësaj politike po bëhen shumë barsoleta… Kush, përgjithësisht ka mundur ta mendojë një marri të tillë që ka mundur lehtë të shkaktojë viktima në njerëz. Në Ballkan viktimat e njerëzve kushtojnë lirë…

Kur paksa u qetësua ushtima e kësaj lokomotive, jehuan boritë e luftës. A do të shërbejnë ndonjëherë trenat për atë që janë bërë e boritë të mbeten në kafene, tubime e gazmende dasmore?

– Provokimet dhe boritë e luftës detyrimisht se shkojnë bashkë. Për dikë jashtë mund të duket tragjikomike, e marrë dhe joserioze. Por ata që jetojnë në këtë rajon e dinë mirë se si lojërat e luftës nxisin zjarrin serioz dhe nuk ka zjarrfikës që mund ta fikë pa bërë dëme shumë të mëdha…

Më radikal në reagime ka qenë kryetari aktual i Serbisë. Para dy vjetësh jeni distancuar nga prania e tij në një ceremoni, si e përjetoni tani qasjen e tij “luftarake”?

– Qëndrimet e Nikoliqit nuk kanë ndryshuar që nga fillim i viteve të 90-ta. Frytet e kësaj retorike të luftës janë regjistruar në kronikat tragjike të viteve të 90–ta.

Sa ka në gjithë këtë dashuri të sinqertë ndaj serbëve në Kosovë dhe në vetë Kosovën e sa ka kalkulime para fushatës parazgjedhore?

– Serbët në Kosovë kanë mbetur peng i politikës së mbrapshtë. Fundja të gjithë e kanë të qartë se kthimi i Kosovës në kuadër të Serbisë nuk mund të bëhet pa një konflikt të madh në të cilin do ta pësonin edhe serbët e mbetur dhe shumë shqiptar, do të rrënohen prapë qytete e fshatra e do të shkatërrohet edhe trashëgimia kulturore për të cilën po bëhet shumë be të jetë djep i serbizmit. Dhe kur të përfundojë kjo betejë e famshme, nuk do të ketë më as Kosovë dhe as Serbi e as trashëgimi të famshme.

A do t’i kënaqë kjo kokat e dehura nacionaliste? Pushteti i arsyeshëm do ta njihte pavarësinë Kosovës me marrëveshjen precize e të fuqishme për vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe krahas detyrimit që Kosova t’i ruajë, t’i sigurojë dhe t’i mirëmbajë institucionet fetare e kulturore dhe të gjitha të drejtat e popullatës serbe, të mundësojë kthimin e të shpërngulurve. Por për këtë duhet pasur politikanë trima. Burrështetasit e mëdhenj, këtë e dimë nga historia, kanë marrë vendime vizionare edhe me çmimin e mbetjes së vet në pushtet. Prandaj edhe mbahen ndër mend si burrështetas.

Në pyetjen se a mendon se njohja e pavarësisë së Kosovës është “vdekje e Serbisë” dhe në të ardhmen do të dilte gabim, David është përgjigjur:

Është krejtësisht e kundërta. Kjo situatë më së shumti është shteruese për Serbinë, politikisht, ekonomikisht dhe moralisht. Çdo zvarritje e dobëson pozitën e Serbisë. Shumë herë të kaluarën është dëshmuar se zvarritja e zgjidhjes me kohë të një situate, vetëm e përkeqëson situatën dhe në fund gjithmonë pranohet një zgjidhje edhe më e keqe.

Ngrirja e konfliktit dhe hedhja e përgjegjësisë te brezat e ardhshëm nuk është e ndershme sepse kështu ky rajon mbetet në hijen e konflikteve të mundshme me përmasa të mëdha.

E di se dikush këtë mendim timin me hidhërim e qortim do ta hedhë poshtë, sepse indoktrinimi se Serbia nuk mundet pa Kosovën po zgjat me vite. Nëse vërtet mendohet për të ardhmen paqësore të Serbisë një vendim i guximshëm duhet të merret dhe kështu të mbrohet ajo që quhet trashëgimi kulturore serbe në Kosovë, të ruhen shumë jeta, të ruhet paqja. Dhje kjo është më e mirë që Serbia të mbijetojë kohë turbulencash që na presin. Jo me luftë, lufta shkatërron, edhe njerëzit, edhe objekte kulturore, por me paqe, me të cilën ruhet ajo që e duam më së shumti. Marrë para sysh të gjitha këto, njohja e pavarësisë së Kosovës, nuk është zgjidhja më e lehtë, por është zgjidhje racionale dhe vizionare.

David ka folur edhe për kryeministrin Aleksandar Vuçiq:

“I dëshpëruar jam përpjekur ta përkrah disa herë politikën e tij ‘pro evropiane’. Nuk më shkonte. Aq shumë ka kundërthënie në atë politikë sa që vërtetë nuk më shkoi. Në paraqitjet e tij ka shumë rrahagjokse, vetë ankesa, mbulim joserioz me hi. Është i rrethuar me njerëz që në ballë u shkruan të jenë anti evropianë. Ndoshta nuk jam pjekur për ironinë dhe vetë ironinë e tij dhe krahasimet që i bën aq pa shije”…