Në Shqipëri Partia demokratike, dhe 22 parti të tjera opozitare nënshkruan sot një memorandum me 5 kushte, realizimi i së cilave do të garantonte sipas tyre një proces sipas standarteve ndërkombëtare në zgjedhjet e 18 qershorit.

Kushti i parë për opozitën mbetet “realizimi i identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimi elektronik dhe numërimi elektronik i votave nëpërmjet një sistemi të aplikuar në shkallë vendi që integron në një proces të tre komponentët e mësipërm”.

Kushti i dytë lidhet me “zbatimin me intensistet dhe shprejtësi të procesit të dekriminalizimit lidhur me kandidaturat” që do paraqiten në zgjedhjet e ardhshme, por dhe “dekriminalizimin e strukturave të fushatës zgjedhore të partive, largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga procesi zgjedhor, nga fushata dhe veçanërisht nga prania e tyre ditën e zgjedhjeve”.

Opozita kërkon gjithashtu “të ulet kostoja e fushatës zgjedhore nëpërmjet reduktimit drastik të shpenzimeve për fushatë, të bëhet transparencë efikase e shpenzimeve dhe burimeve të financimit, të forcohen ndalimet për financimin e partive dhe të forcohen penalitetet në Kodin Penal, përfshirë cilësimin e shit-blerjes së votës si krim i rëndë”.

Një tjetër kusht ka të bëjë me ndalimin e “përdorimit të burimeve njerëzore të admnistratës publike në fushatë apo strukturat zgjedhore partiake si dhe të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve materiale të administratës publike”. Ndërsa kushti i fundit është “garantimi i aksesit të drejtë në media dhe mbulimi mediatik si dhe reduktimi dhe normimi i hapësirës publicitare në fushatë zgjedhore, me qëllim sigurimin e një fushate të drejtë”.

Në tekstin e memorandumit, partitë e opozitës theksojnë se “përmbushja e kushteve të mësipërme është një minimum i domosdoshëm dhe i pakapërcyeshëm për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, të besueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Mospërmbushja e tyre është tregues i qartë që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë zgjedhjet që kërkojnë shqiptarët dhe që hapin rrugën e integrimit europian”.

Javën e shkuar shumica dhe opozita u përlasën në Komisionin e Reforës zgjedhore lidhur me votimin dhe numërimin elektronik. Opozita këmbënguli që ekspertët e komisionit të sjellin propozimet lidhur me modelet që mund të zbatohen. Por përfaqësuesit e Partisë socialiste kërkuan që më parë të merrej një vlerësim nga OSBE/ODIHR-i, nëse diçka e tillë ishte e mundshme, duke kujtuar këtu dështimin në vitin 2013 të një projekti pilot mbi votimin dhe numërimin elektronik.