Ditët e fundit, media amerikane e drejtoi vëmendjen tek një çështje e ndjeshme: ndarja e detyrave zyrtare dhe lidhjeve familjare. Shkak u bë fakti që e bija e Presidentit Trump, Ivanka Trump, përfaqësoi presidentin në të paktën një nga sesionet e takimit të G-20s në Hamburg të Gjermanisë.
Për Shtëpinë e Bardhë, takimi i G20-ës nuk kishte asgjë të pazakontë.

 

Shefi i personelit së Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus e karakterizoi samitin me nota pozitive.

“Presidenti përcaktoi tonin e takimit në Evropë. Udhëheqësit e njëzetëshes iu afruan presidentit. Ai ishte qendra e vëmendjes në Hamburg dhe askush nuk mund ta mohojë këtë. E vërteta është se ai po i jep përparësi Amerikës”.

Megjithatë disa mendojnë se zoti Trump po i jep përparësi familjes. Ai po kritikohet se kur nuk ishte i pranishëm për një fare kohe të paktën në një nga sesionet, por mund të ketë munguar në tre prej tyre, la të bijën ta zëvendësonte.

Një nga ato raste, një sesion për zhvillimin në Afrikë, u bë publik nga një anëtare e delegacionit rus me një fotografi në Twitter. Më pas fotoja u hoq nga Twitteri.

Kritikët po e konsiderojnë një veprim të tillë të pashembullt dhe një shkelje të protokollit diplomatik.

Ish-sekretari amerikan i Thesarit, Lawrence Summers shkruante në gazetat “Financial Times” dhe “Washington Post”, se “nuk ka precedent që një nga fëmijët e Presidentit ta zëvendësojë atë në tryezë. Ishte një fyerje për të pranishmit e tjerë dhe dërgonte një mesazh shkurajues për zyrtarët qeveritarë”.

Të hënën Presidenti mori pozita mbrojtëse, duke u përpjekur të zhvendoste vëmendjen përmes Twitterit, tek ish-rivalja e tij në zgjedhje, demokratja Hillary Clinton.

Vajza e ish-sekretares së Shtetit, Chelsea Clinton, menjëherë reagoi po në Twitter.

Presidenti vuri në dukje faktin që organizatorja e takimit, e justifikoi pjesëmarrjen e Ivanka Trumpit, në vend të të atit.

“Janë delegacionet që vendosin se kush e zëvendëson presidentin kur ai nuk është i pranishëm. Ivanka Trump ishte anëtare e delegacionit dhe është diçka që edhe delegacionet e tjera e bëjnë. Dihet që ajo punon në Shtëpinë e Bardhë dhe që është e angazhuar në disa iniciativa”, tha kancelarja Merkel.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders i quajti kritikat ndaj zonjës Ivanka Trump “një sulm të paskrupullt.”

“Duhet të krenohemi që Ivanka u ul në vendin e të atit, duke pasur parasysh se tema që po diskutohej ishte pjesë e portofolit të saj. Nëse nuk do të kishte mbiemrin Trump, mendoj se ajo do të vlerësohej në vend që të sulmohej vazhdimisht”.

Vajza e Presidentit Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, janë këshilltarë zyrtarë të presidentit. Por ajo që është më shqetësuese për kritikët e presidentit, madje edhe për disa nga përkrahësit e tij, është mungesa e qartësisë në ndarjen mes punës zyrtare të Shtëpisë së Bardhë dhe biznesit privat të familjes Trump. Kjo temë ngre shqetësime etike dhe pikëpyetje për transparencën. /VoA