Përkundër vullnetit të Madridit, qeveria rajonale e Katalunjës do të mbajë një referendum për pavarësinë. Por, nuk është vetëm Katalunja, në Evropë ka edhe rajone të tjera që dëshirojnë pavarësimin nga qeveritë qendrore.

Në gjysmën lindore të Evropës shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe e ish-Jugosllavisë kanë bërë që të krijohen shumë shtete të reja. Në Evropën perëndimore duket se shtetet e vjetra nacionale janë të konsoliduar prej kohësh. Por, në këto themele gëlon dëshira për pavarësi e rajoneve, madje në disa prej tyre me përpjekje militante. Shanset për realizimin e një kërkese të tillë janë të ndryshme – në vende të ndryshme.

KATALUNJA

Askund tjetër në Evropë nuk është kaq e fortë tendenca për pavarësinë sa në Katalunjë. Derisa në kohën e diktaturës së Frankos shtypet ndjenja katalunjase, rajoni tashmë ka arritur një masë të gjerë autonomie politike dhe kulturore – ndër të tjera edhe duke pasur parlamentin rajonal. Por, kjo nuk u mjafton shumicës së 7,5 milionë katalunjasve. Ata duan një shtet më vete, kryesisht për arsye ekonomike. Ata thonë se Katalunja është rajoni më i pasur prej nga thith shteti spanjoll në tërësi. Rreth 20 për qind e produktit bruto spanjoll në vend realizohet në rajonin lindor përreth Barcelonës. Më 1 tetor qeveria rajonale ka shpallur referendumin për pavarësinë. Qeveria konservatore në Madrid e Mariano Rajoyt e refuzon referendumin dhe e konsideron atë antikushtetues e po përpiqet juridikisht e madje edhe me forcën e policisë që ta bllokojë atë duke sekusetruar fletët e votimit.

RAJONI I BASKËVE

Shumë katalunjas orientohen nga rajoni i baskëve. Në gjithë Spanjën, qeveria qendrore në Madrid mbledh taksat dhe i shpërndan ato në rajone të veçanta e jo në rajonin e baskëve dhe në provincën që i përket atij, Navarra, me kryeqytet Pamplonan. Rajoni i baskëve i administron në mënyrë të mëvetsishme taksat dhe i paguan një shumë minimale Madridit. Rajoni i baskëve është ekonomikisht më i dobët se Katalunja. Ndonëse edhe nacionalizmi bask dhe gjuha baske janë shtypur nën diktaturën e Frankos, një pakicë e vogël e nacionalistëve baskë është militante. Organizata baske në ilegalitet, ETA, në rreth 50 vjet ka vrarë mbi 800 vetë për të arritur qëllimin e vet shkëputjen nga Madridi. Më 2011, ETA hoqi dorë nga dhuna. Por, as sulmet dhe as bisedimet politike nuk e kanë mundësuar një referendum, pa folur më për pavarësinë. Një referendum në nëntor 2014 u kthye në një votë simbolike. Vetëm qeveria qendrore spanjolle mund të mbajë një referendum të tillë, sipas Kushtetutës.

SKOCIA

Qysh prej 300 vjetësh ekziston unioni mes Skocisë dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Por, skocezët ka kohë që kërkojnë një autonomi më të zgjeruar. Një parlament më vete ata e kanë. Por, partia nacionale skoceze kërkon mëvetësinë. Më 2014 Londra lejoi referendumin për pavarësinë. Ndonëse shumica e skocezëve votuan kundër ndarjes, më 2016 fryma e pavarësisë u ringjall për shkak të referendumit ndaj BE-së në Britaninë e Madhe dhe procesin e daljes së saj nga BE-ja. Pas vendimit të britanikëve për daljen nga BE-ja, kryeministrja e Skocisë. Nicola Sturgeon u orientua nga nacionalistët: përderisa zgjedhësit në Skoci kanë votuar me shumicë për mbetjen e Britanisë së Madhe në BE, është e papranueshme, që Skocia automatikishttë dalë bashkë me Britaninë e Madhe nga BE-ja. Kur të bëhen të njohura më shumë detaje për BREXIT-in, në vjeshtën e vitit 2018 ajo do të mbajë një rëeferendum për pavarësinë ngjashëm si në vitin 2014.

FLANDRA

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Belgjikë më 2014, Aleanca e re flamane nën Bart De Weverit doli forca më e madhe politike në Flandër. De Wever është i bindur që shteti i tërë belg do të “shpërbëhet” dhe se Flandra pa Valoninë do të jetë më mirë ekonomikisht. Një Flandër të pavarur ai synon ta arrijë përmes bisedimeve. Separatizmi flaman është një rast i veçantë: Belgjika gjithsesi përbëhet nga flamanët që flasin holandisht dhe valonët që flasin frëngjisht, përfshirë këtu edhe komunitetin gjermanofon dhe Brukselin që ka dy gjuhë zyrtare. Ndërsa Flandra shkëputet, Belgjika do të humbiste më shumë se gjysmën e popullsisë, si dhe forcën ekonomike. Nga Belgjika do të mbetet shumë pak. Pika më e nxehtë e debatit është në këtë rast statusi i Brukselit, që është edhe selia e BE-së dhe e NATO-s. Se çfarë do të ndodhte me Valoninë, është e paqartë. Madje ideja e atashimit Francës, Luksemburgut apo madje Gjermanisë ka qarkulluar përkohësisht. Sidoqoftë, debati tashmë është i tejkaluar e deri më sot belgët janë afruare dhe më shumë ndër vete.

“PADANIA”

Lëvizja separatiste në Veri të Italisë është e motivuar thjeshtë nga ekonomia. Veriu me rajonet e Lombardisë, Aostës, Piemontit, Ligurias, Venetos dhe Emilia-Romagnas, realizojnë me ndërmarrjet e tyre industriale dhe bankat pjesën më të madhe të produktit social italian. Shumë italiano-veriorë besojnë se Italia e Mesme dhe ajo e Jugut konsumojnë paranë e fituar me mund në veri të vendit. Partia Lega Nord në vitet 1990 donte shkëputjen e plotë të veriut “Padanias”, që rrjedh prej emërtimit italian “pianura padana” për luginën e Posë. Sot Lega Nord është bërë më e moderuar. Tani ajo synon vetëm që veriu ta mbajë për vete pjesën më të madhe të parave dhe t’i administrojë vet ato në vend që ato t’i kalojnë Romës.

TIROLI I JUGUT

Në Tirolin e Jugut bashkohen faktorë ekonomikë, historikë dhe kulturorë. Tiroli i Jugut deri në fund të Luftës së Parë Botërore i përkiste Perandorisë Austrio-Hungareze, më pas ai iu caktua Italisë. Pas fazës së italianizimit në kohën e Musolinit, Tiroli i Jugut pas Luftës së Dytë Botërore fitoi më shumë autonomi politike dhe gjuhësore. Madje, në pjesën më të madhe të ardhurat shtetërore ky rajon lejohet t’i mbajë vet. Tirolezët jugorë dukeshin për një kohë të gjatë të kënaqur. Por, kriza e borxheve shtetërore i ndezi përkohësisht ndjenjat e separatizmit. Italia është pas Greqisë vendi me më shumë borxhe në Eurozonë, e ekonomia nuk po rimëkëmbët. Shumë tirolezo-jugorë, të cilët janë mirë ekonomikisht, nuk duan të kenë të bëjnë me problemet e Italisë dhe prandaj kërkojnë “shkëputjen nga Roma”.

KORSIKA

Shteti francez prej kohësh është përpjekur, që ta spostojë nga jeta publike dhe në shkolla gjuhën korsikane në ishull. Përpjekjet për autonomi janë luftuar. Grupet militante, kryesisht ai FLNC, për shumë vite janë përpjekur të shkëputen me dhunë nga Franca, duke kryer sulme kundër përfaqësuesve apo simboleve të shtetit të Francës apo edhe shtëpive të pushimit në kontinent. Më 2014 FLNC deklaroi se do të heq dorë nga lufta në ilegalitet. Por, potenciali i konfliktit mbetet: propozimet e rezervuara për autonomi të qeverisë socialiste franceze, nën Lionel Jospinin në vitin 2000, e nxorën opozitën konservatore në barrikada. Ajo besonte se edhe rajone të tjera, si Bretanja apo Alzasa, mund të kërkonin pavarësinë. Tradicionalisht në Paris merren fare pak parasysh gjuhët rajonale, sepse tek to shihet të rrezikohet uniteti i vendit.

BAVARIA

Fare pak bavarezë mendojnë seriozisht për krijimin e një shteti më vete. Por, sidoqoftë, Bavaria gëzon zyrtarisht qysh sot termin “shteti ilirë”. Me këtë Bavaria ka mundur të mbijetojë mirë. Ky është landi me sipërfaqen më të madhe ndër landet federale të Gjermanisë. Me 13 milionë banorë ky rajon ka më shumë banorë se Suedia apo Portugalia dhe po ashtu ka rendimentin më të lartë ekonomik ndër landet federale. Nëse ekziston dëshira për më shumë mëvetësi të bavarezëve, atëherë kjo rrjedh kryesisht prej kompensimit financiar mes landeve, sistem ky përmes të cilit harmonizohen pjesërisht dallimet në mirëqenie mes landeve të pasura dhe të varfra. Bavaria do të preferonte të paguante më pak në arkën e përbashkët. Por, edhe këtu ka separatistë të mirëfilltë. Politikani kristiansocial Wilfried Scharnagel, në librin e botuar më 2012 bën thirrje se “Bavaria mund t’ia dalë edhe vetëm”, duke kërkuar shkëputjen nga njësia e shtetit gjerman. Por, deri më tani nuk është krijuar ndonjë lëvizje më e madhe se kaq. /DW/