Është absurde të mendojmë se pavarësisht sa të përhapura janë bërë problemet e shëndetit mendor dhe sa shumë ndikojnë në përditshmërinë e njerëzve, ne ende nuk jemi të aftë t’u dhurojmë atyre mbështetje adekuate dhe trajtim të duhur.
Anë e mbanë botës njerëzit ende presin në lista me muaj të tërë për t’u trajtuar, ndërsa ankesat e tyre shpeshherë injorohen apo nuk merren seriozisht.

Por, tani ekziston edhe një arsye tjetër se përse duhet të fillojmë t’i marrim sëmundjet mendore me seriozitet dhe t’u dhurojmë mbështetjen që e meritojnë atyre që vuajnë nga depresioni: Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, depresioni tani është shkaktari kryesor i paaftësive anë e mbanë botës.

Rastet e depresionit janë rritur për thuajse 20 për qind brenda një dekade, ku 322 milionë njerëz janë diagnostikuar me këtë sëmundje deri në vitin 2015.

Margaret Chan, nga organizata në fjalë, i quan këto shifra alarmante dhe bën thirrje që shtetet të ndërmarrin hapa për trajtimin e sëmundjeve mendore dhe ta trajtojnë këtë problem me urgjencën që e meriton.

Ajo tregon se në shumicën e shteteve të zhvilluara, pothuajse gjysma e njerëzve që vuajnë nga depresioni nuk diagnostikohen me këtë sëmundje dhe aq më pak nuk marrin trajtim. Ndërsa, në shtetet më pak të zhvilluara, kjo shifër e numrit të pa diagnostikuar me depresion arrin deri në 90 për qind.
Kjo është e papranueshme!

Investimi në trajtim më të mirë të depresionit do ta zvogëlonte numrin e vetëvrasjeve që ndodhin brenda një viti, duke shpëtuar qindra mijëra jetë dhe duke i bindur njerëzit se është në rregull të kërkojnë ndihmë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për çdo 1$ që investohet në trajtimin e depresionit dhe shqetësimit, shtetet do t’i marrin 4$ nga ajo shifër falë shëndetit të përmirësuar dhe produktivitetit.