Teksa temperaturat e larta kanë sjellë krijimin e flakëve të zjarrit në mjaft zona të vendit, kryeministri Rama ka reaguar me anë të një postimi në “Facebook” për çështjen në fjalë.

Rama bën me dije se shteti ndodhet në krye të detyrës me të gjitha mjetet e mundëshme për të shuar çdo vatër zjarri.

Ai njofton se deri më sot 8261 vajza e djem nga Emergjencat Civile, Forcat Zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, stafet e bashkive si edhe vullnetarë, të mbështetur me 973 mjete tokësore dhe 5 mjete ajrore (2 helikopterë dhe 3 avionë), janë në dispozicion për të vënë në kontroll flakët.

Statusi i plotë:

SHTETI NË KRYE TË DETYRËS

Vijojnë aksionet për vënien nën kontroll dhe shuarjen e vatrave të zjarreve në këto ditë temperaturash ekstreme, të cilat kanë ndikuar rëndshëm në një situatë të paprecedentë zjarresh në mbarë mesdheun. Për përballmin e situatës janë angazhuar deri më sot 8261 vajza e djem nga Emergjencat Civile, Forcat Zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, stafet e bashkive si edhe vullnetarë, të mbështetur me 973 mjete tokësore dhe 5 mjete ajrore (2 helikopterë dhe 3 avionë). Situata mbetet e vështirë edhe për ditët në vijim që vala e të nxehtit të jashtëzakonshëm do të jetë prezente në territorin tonë.

S’ka dyshim se kapacitetet tona mbeten të ulëta përballë këtij kërcënimi kaq serioz dhe në katër vitet e ardhshme do të përpiqemi seriozisht për rritjen e këtyre kapaciteteve. Sidoqoftë, faktet flasin vetë qoftë për punën kolosale që është bërë në kushte tejet sfiduese, qoftë për kujet e krismat digjitale të atyre që duhet të japin llogari e jo të kërkojnë llogari. Nga 280 vatrat e zjarrit në të cilat ka qenë e nevojshme ndërhyrja e strukturave shtetërore, sot janë aktive vetëm 8 prej tyre dhe ky numër pritet të ulet në orët në vijim falë gatishmërisë maksimale, koordinimit të plotë dhe bashkëpunimit të lartë mes institucioneve vendore e qendrore.