Në një sulm ajror me gaz helmues në veriperëndim të Sirisë kanë ndërruar jetë të paktën 58 civilë. Ekspertë të OKB-së akuzojnë qeverinë siriane për sulmin. Rusia mohon çdo përfshirje.

Njoftimi erdhi nga Qendra Vëzhguese Siriane për të Drejtat e Njeriut. Sipas saj në mesin e 58 viktimave me gaz helmues në Siri janë edhe 11 fëmijë. Të paktën 160 të tjerë janë plagosur rëndë, shumë vetë kanë pasur vështirësi me rrugët e frymëmarrjes. Gazi helmues duket është përdorur në provincën e Idlibit, në qytetin Çan Sheiçun të martën në mëngjes. Mjekët bëjnë të ditur, se ka pasur mjaft raste të vjellash dhe humbje ndjenjash. Aktivistët e Qendrës Siriane kanë treguar foto ku shihen burra me shkumë në gojë dhe forcat e shpëtimit të “Helmetave të Bardha Siriane”, të cilët përpiqen të lajnë me ujë të plagosurit. Idlibi kontrollohet gjerësisht nga aleanca e rebelëve, një degë e Frontit të Al-Kaidas dhe Al-Nusras. Grupi njihet tani me emrin Fateh al-Sham

Rusia mohon çdo lidhje me sulmin

Sipas të dhënave të Qendrës Vëzhguese Siriane është vështirë të verifikohet, nëse sulmi është kryer nga avionë sirianë apo rusë. Kjo organizatë është e afërt me rebelët dhe bazohet në të dhëna informantësh për publikimet e saj.

Rusia ndërkohë hodhi poshtë kategorikisht të martën çdo lloj përgjegjësie në lidhje me sulmin me gaz helmues në Siri. Ministria e Brendshme në Moskë është shprehur, se aviacioni luftarak rus nuk ka kryer sulme me bomba në rajonin përreth qytetit Çna Sheiçun.