Ish-kongresmeni shqiptaro- amerikan, Joseph DioGuardi në raportimin e tij të fundit në Kongres për situatën në Ballkan, përfshirë edhe Maqedoninë, kishte shprehur shqetësim për implikimin në korrupsion të Qeverisë së VMRO-DPMNE dhe partisë shqiptare BDI.

Sipas tij, dëshpërimi i shqiptarëve të Maqedonisë me korrupsionin e qeverisë Gruevski, tu’ përfshi edhe bashkëpunimin e partisë së Ali Ahmetit është një bombë që mundet me shpërthye kurdo.

Gjithashtu burime nga Nju Jorku, se DioGuardi si politikan republikan me ndikimin në Distriktin e Nju Jorkut, ka komunikime me institucionet e ndryshme amerikane.

DioGuardi ka akuzuar direkt Ahmeti dhe Gruevskin si një partneritet i të korruptuarëve.

“Partneriteti i korruptuem Gruevski-Ahmeti po e skllavnon politikisht dhe ekonomikisht vendin që qeveriset nga frika dhe intimidimi i partisë së Gruevskit. Shqiptarët në Maqedoni duhet të trajtohen si partnerë të barabartë në një Kushtetutë të re të këtij shteti tanimë të dështuar, ose duhet me u përballë me opsionin e federalizmit të Maqedonisë së shqiptarëve etnikë dhe maqedonasve etnikë. Maqedonia është një shtet aparteidi dhe kjo duhet korrigjuar, përndryshe ky shtet vështirë do të mbijetojë si shtet sovran.

Ma poshtë, lexoni të plotë fjalën e Dioguardi’t:

Maqedonia

Në Maqedoni, përkeqësimi i situatës politike dhe i marrëdhënieve ndërmjet grupeve etnike – në të vetmin vend në Ballkanin Perëndimor ku asnjë etni e vetme nuk e ka shumicën – është bërë akute, megjithatë qeveria e SHBA-së dhe Bashkimi Evropian janë duke dështuar në zgjidhjen e kësaj krize në rritje e sipër. Siç ka thënë Erwan Fouere, ish-Përfaqësuesi Special i BE-së në Maqedoni gjatë viteve 2005-2011, në shkrimin e tij të datës 23 mars 2015, në Balkan Insight, të titulluar “Gruevski Must Resign and Make Way for Transition Process” (Gruevski duhet të japë dorëheqjen dhe të hapë rrugën për procesin e tranzicionit”, që unë po e dorëzoj për t’u dokumentuar si pjesë e kësaj seance të Kongresit, “shkalla e korrupsionit të dyshuar dhe veprimeve kërcënuese nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe partia e tij në pushtet VMRO-DPMNE, ka dalë në shesh falë zbulimeve tronditëse që janë vënë në dispozicion për publikun nga lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, në lidhje me operacionin e gjerë të përgjimit që ka drejtuar Gruevski. Në një tjetër artikull të muajit prill, 2015, Fouere doli në përfundimin se sot Maqedonia “është një vend i qeverisur nga frika dhe kërcënimi, me një parti në pushtet që ka një agjendë etno-nacionaliste dhe populiste që ka krijuar çarje të reja në një mjedis tashmë të brishtë,” më alarmuesja prej të cilave është rihapja e tensioneve të thella ndërmjet komunitetit etnik shqipëtar dhe atij maqedonas.

Ndërkohë, Ali Ahmeti, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partia shqiptare e të cilit është partnerja e vogël në koalicionin qeverisës, ka përdorur kartën nacionaliste kurdo që e gjen atë politikisht të përshtatshme dhe ka heshtur për skandalin e përgjimit, që me sa duket është rezultat i përfshirjes së parties së tij në korrupsion me partnerin e tyre të madh të koalicionit, VMRO-DPMNE, kryesuar nga kryeministri Gruevski, i cili tani akuzohet publikisht nga opozita maqedonase, Bashkimi Social Demokratik i Maqedonisë, për një agjendë politike dhe ekonomike kriminale masive, veçanërisht kundër popullsisë së madhe shqiptare në Maqedoni.

Kur është fjala për Maqedoninë, realiteti kyç është se Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, e cila i dha fund konfliktit të armatosur ndërmjet maqedonasëve dhe shqiptarëve atë vit dhe parashtroi një numër ndryshimesh kushtetuese dhe ligjore të hartuara për të përmbysur një dekadë diskriminimi kundër shqiptarëve, ende nuk është zbatuar plotësisht.

Frustrimi dhe dëshpërimi në rritje i popullsisë së madhe shqiptare në Maqedoni me qeverinë e korruptuar Gruevski, duke përfshirë edhe partitë politike shqiptare bashkëpunëtore të udhëhequra nga Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, është një bombë figurative që mund të shpërthejë në çdo moment, sidomos në një ekonomi që prodhon vetëm vende pune në qeveri që shkojnë kryesisht te maqedonasit etnikë dhe pastaj vetëm për ata që votojnë për partneritetin e korruptuar Gruevski/Ahmeti, i cili është duke e skllavëruar të gjithë vendin politikisht dhe ekonomikisht. Strategjia e status quo-së së Departamentit të Shtetit ndaj Ballkanit, e cila tani mund të “përkthehet” si “paqe dhe stabilitet në Ballkan me çdo kusht,” është bërë një aspirinë, ose koktej i përditshëm, për popullin shqiptar për ta qetësuar dhimbjen e tyre për sot, ndërsa mbjell farën për shpërbërjen etnike të Ballkanit, e jo për integrimin evropian.

Konkluzioni

Në fund, asgjë nuk do të arrihet në Ballkanin Perëndimor pa përfshirjen e fortë të Shteteve të Bashkuara. Historia e rajonit ka treguar që kjo është e vërtetë. Lidhur me Kosovën, të gjithë anëtarët e BE-së duhet të njohin pavarësinë e Kosovës dhe t’i japin fund izolimit të vendit duke ofruar mundësi ekonomike. Për sa i përket Maqedonisë, shqiptarët duhet të trajtohen si partner i barabartë në një Kushtetutë të re të këtij shteti që tani po dështon, ose duhet të përballemi me mundësinë e federalizimit, i cili do t’i lejonte popullit shqiptar të ketë kontroll administrativ, social dhe financiar mbi fatin e tyre si pjesë të një federate maqedonase të shqiptarëve etnikë dhe maqedonasve etnikë. Maqedonia është tashmë një shtet aparteidi, në të cilin grupet e mëdha etnike jetojnë të ndara, por jo në mënyrë të barabartë, dhe kjo duhet të korrigjohet. Përndryshe, Maqedonia nuk do të mbijetojë si shtet sovran që mund të integrohet në Bashkimin Evropian.