Me urdhëresë dhe iniciativë të Prokurorisë Themelore të Tetovës dhe me asistencë të Sektorit për punë të brendshme në Tetovë, gjatë ditëve të kaluara dhe sot ka pasur kontrolle të shtuara për sa u përket hapësirave publike që përdoren nga lokalet afariste.

Mbeten ende të kuptohen shumë paqartësi për mënyrën se si VMRO po realizon këtë agjendë “hakmarrëse”, duke marrë parasysh faktin se nga 5 prokurorët në Tetovë, 3 prej tyre janë shqiptarë. Gjithashtu Sektori për punë të Brendshme në Tetovë është institucion i cili udhëhiqet nga kuadro shqiptare të partisë në pushtet.

Sipas të dhënave jo zyrtare nga tereni, janë kryer kontrolle në mbi 70 lokale afariste, kryesisht në pronësi të shqiptarëve, me ç’rast në të njëjtat bëhet kontroll i aktvendimeve për shfrytëzim të hapësirave publike të lëshuara nga komuna e Tetovës, dhe njëherit bëhet matja e hapësirave publike nga ana e organit hetimor, për të verifikuar nëse të dhënat në dokumetet e procesuara dhe të lëshuara nga organet komunale korespoendojnë me gjendjen faktike në teren. Shumë nga pronarët e lokaleve këtë e konsiderojnë si formë direkte të ushtrimit të presionit ndaj tyre nga ana e institucioneve shtetërore.

Duke marrë parasysh faktin se një aksion i tillë është i inicuar nga organi kryesor hetimor shtetëror, që në këtë rast është Prokuroria Themelore e Tetovës, janë mjaft reale dyshimet se ky aksion i fundit i Prokurorisë është vetëm vazhdimësi e fushatës “revanshuese” ndaj komunës së Tetovës, ku në 10 ditët e fundit në dyert e këtij institucioni trrokitën inspektorët nga Inspektorati Shtetëror i Punës në kuadër të Ministrisë për punë dhe politikë Sociale, si dhe kontrolli i fundit ku përfaqësues nga Inspektorati shtetëror i ndërtimtarisë pranë Ministrisë për Transport dhe Lidhje, kryen kontrolle të detajuara në sektorin për Urbanizëm dhe menaxhim me tokën ndërtimore në komunën e Tetovës.

Në rrethanat dhe zhvillimet e fundit politike në vend, është më se naive të besojmë se ky fluks i shtuar kontrolleve si formë indirekte e presionit, është një veprim i rastësishëm dhe si i tillë të arsyetohet si formë e rregullt e ushtrimit të veprimtarisë ligjore të institucioneve relevante shtetërore. Faktet flasin se bëhet fjalë për një sulm të orkestruar që tenton të shënjestrojë figurën politike të kryetares së komunës së Tetovës Teuta Arifi, e cila si pjesë e 3-shes së nënkryetarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, që janë pjesë në krahut negociues të kësaj partie, që po udhëheqin shtetin drejt një realiteti të ri politik, ku nuk ka vend për partinë aktuale në pushtet të bllokut maqedonas , VMRO-DPMNE-në !

A mund të interpretohet ky sulm i institucioneve të udhëhequr nga shqiptarë të afërt me VMRO-DPMNE-në, si instrumentalizim i tyre për t’i shërbyer idesë së vazhdimit të koalicionimit me partnerin e dëshmuar antishqiptar VMRO-DPMNE, pritet të kuptohet me zhvillimet e ditëve të ardhshme, kur vendi dhe qytetarët presin me padurim formimin e qeverisë së re – reformiste, që do të dërgojë në histori qarqe të caktuara politike, që ishin sinonin i korrupsionit dhe regresit të aspiratave euro-atlantike të vendit.