Rregullat e dhënies me qira të plazheve, detyrojnë qiramarrësin që të ofrojë edhe sigurinë, përfshi edhe rojet e plazheve.

Rregullat janë vendosur me vendim qeverie, por në praktikë duket se vendimi i një viti më parë nuk ka gjetur zbatim.

“Institucioni jonë i është dërguar me shkresë zyrtare bashkive dhe ministrisë që nga monitorimet vjet nuk është zbatuar VKM nga bashkitë për këtë çështje”, shprehet Auron Tare, kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

Çfarë zgjidhje ofron agjencia e bregdetit që ky shërbim të funksionojë si kudo në botë?

“Ne kemi propozuar modelin e Malit të Zi, të Francës, që të jetë një institucion i specializuar ai që do të administrojë këtë lloj shërbimi, pra nga siguria ne det tek mbledhja e tarifave”, shton Auron Tare.

Përgjatë gjithë vijës bregdetare të Durrësit gjendet vetëm një kullë vrojtimi, të tjerat të ngritura dy vjet më parë janë zhdukur. Pse nuk e kanë zbatuar bashkitë vendimin e qeverisë për të punësuar roje bregdetare në plazhe?

“Në Durrës nuk ka roje bregdetare qe financohen nga bashkia e Durrësit, por ne i kemi kërkuar subjekteve që marrin me qira plazhet që të vendosin roje bregdetare gjatë gjithë vijës bregdetare. Të mblidhen 4-5 subjekte bashkë sepse ne nuk kemi fonde. shkon afro 3 mln lekë të reja”, shprehet kryetar i bashkisë Durrës, Vangjush Dako.

Por, për Dakon ky problem do të zgjidhet shpejt.“Jemi në fazën e parë, deri në korrik do të zgjidhet përfundimisht” shprehet kryetar i bashkisë Durrës, Vangjush Dako.

Përmes një marrëveshje me qeverinë malazeze, dy vjet më parë, Agjencia Kombëtare e Bregdetit trajnoi dhe certifikoi 41 studentë të akademisë së sporteve për roje bregdetare, të rinj që për faj të bashkive sot janë të papunë, pa harruar që nga mosprania e tyre mund të rrezikohet jeta e kujtdo pushuesi.