Në kohën kur situata në rajon nuk është e qetë dhe kur në një sërë shtetesh ka mungesë stabiliteti, Komisioni i Jashtëm ka thirrur në një seancë dëgjimore përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme për të hedhur dritë mbi krizën në Maqedoni, situatën në Mal të Zi dhe ndikimin rus në rajon.

Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe Strategjike i Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha i është përgjigjur në distancë Rusisë lidhur me ndikimin e saj në Maqedoni.

“Rusia nuk ndan me ne të njëjtat vlerësime përsa i perket NATO-s dhe BE-së, përsa i përket investimit të BE dhe vendeve partnere, ndihmës që ato japin. Ajo ka një vështrim tjetër, ne kemi një qëndrim tjetër. Ne nuk mendojmë që këto qëndrime kanë ndihmuar në zgjidhjen e problemeve në Maqedoni”, tha ai para Komisionit të Jashtëm.

Hoxha ka dërguar dhe një mesazh të qartë për klasën politike maqedonase.

“Asnjë model që përjashton apo nëpërkëmbë shqiptarët të drejtën e tyre legjitime kushtetuese, nuk do mund të rezultoi i suksesshëm në Maqedoni”, deklaroi ai.

Në të njëjtën kohë, ai është përgjigjur dhe për aludimet e ngritura se platforma e partive shqiptare, është hartuar në Tiranë.

“As nuk ka, as nuk ka patur platformë të Tiranës. Takimet me përfaqësues politikë, takimet me liderë politikë, takimet me përfaqësues institucional të shqiptarëve në hapësirat ku jetojnë, qofshin në Maqedoni, qofshin në Preshevë, Mal të Zi, janë të zakonshme, janë bërë herë pas here dhe takimi për të cilin aludohet është një nga këto takime”, sqaroi Hoxha.

E në fund, Ferit Hoxha është ndalur dhe tek Mali i Zi dhe tentativat ruse për të bllokuar antarësimin e tij në NATO.

“As Rusia dhe asnjë vend tjetër, përveç vendeve anëtare, por që nuk besoj se do të ndodhë, nuk mund ta ndalojë anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancë”, u shpreh ai.

https://www.youtube.com/watch?v=AaYtBxt1KuY