“Shqipëria është kthyer në plantacion kanabisi”, thotë kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një intervistë të dhënë për “Der Standard” një ditë pas botimit të një artikulli të saj, ku e përditshmja austriake thoshte se, pas bojkotit të opozitës në Shqipëri qëndron Sali Berisha.

“Ne duam të marrim pjesë në zgjedhje, – është shprehur Basha. – Por jo në ato zgjedhje, ku rezultati është caktuar paraprakisht përmes krimit dhe drogës”.

I pyetur se, përse refuzoi javë më parë ofertën e 4 ministrave teknikë, zgjedhjes së efektivëve të policisë në njësitë administrative dhe kreut të KQZ-së, ai sqaron se “në tryezë nuk iu hodh oferta e një qeverie teknike”.

“Ne mendojmë se, përmes ministrave teknikë mund të luftohet ndikimi i parave të narkotikëve e të realizohet Reforma Zgjedhore. Kërkuam që zgjedhjet të mbaheshin dhe numërimi të kryhej me sistem elektronik. Ka firma europiane që mund ta kryenin këtë brenda pak javësh dhe gjithçka mund të organizohej nga fundi i tetorit”, tha Basha.

Po çfarë kërkon Basha realisht?

“Lidhja mes krimit dhe politikës në Shqipëri është e veçantë. Në Parlament, në bashki, në institucionet e Administratës Publike janë ulur njerëz, që nuk kanë qenë kurrë në politikë. Ajo që i bashkon është fakti se kanë ngecur nëpër burgjet europiane për trafik droge, trafik të qenieve njerëzore, trafik armësh dhe vrasje. 95% e atyre me të shkuar kriminale, që ulen sot në Parlament, dhe 70% e atyre që drejtojnë bashkitë janë nga veriu i Shqipërisë”, tha Basha.

“Katolikët e veriut – vazhdon Basha, – kanë qenë bastioni ynë. Por Edi Rama rekrutoi në veri llumin e llumit për të shkatërruar fortesën tonë atje. Ata janë fuqizuar e kanë caktuar krerë policie e taksambledhës”.

“Droga dhe krimi, – vazhdon kreu demokrat në intervistë, – kanë kapur qeverinë”.

“Ne duam të marrim pjesë në zgjedhje, – thekson sërish ai, – por nuk do të jemi aty më 18 qershor, sepse shqiptarët nuk janë të lirë të votojnë për shkak të krimit dhe bosëve të drogës”.

Pyetjes se cilat janë kushtet e tij, Basha i përgjigjet duke thënë:

“Ne mund të negociojmë. Këtu ka një krizë elektorale”, siç e pohon dhe komuniteti ndërkombëtar. “Është e rëndësishme që të ketë një proces të drejtë zgjedhor” dhe sqaron se, “kërkesa kyçe është një qeveri teknike e bazuar në një marrëveshje politike dhe një kryeministër që të jetë i pranuar prej demokratëve”.

“Nëse ka një qeveri teknike, – thotë Basha, – atëherë kthehemi në Parlament dhe votojmë vettingun”.