Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sonte shënuan Ditën e Veteranit të Luftës së UÇK-së, ku u tha se 25 vite më parë, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe, ku synimi i tyre ishte vrasja e Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

Valdet Berisha, veteran i UÇK-së nga Klina, foli për rëndësinë e 30 dhjetorit që 25 vite më parë, në shtëpinë e Shaban Jasharit u zhvilluan luftimet e para kundër policisë serbe.

“Grupi i luftëtarëve me Adem Jasharin, pasi mbaruan ushtrimet ushtarake në Shqipëri u kthyen pranë vatrave dhe filluan jetën guerile. Sot e 25 vite më parë, kokardat çetnike ia mësyn kullës së Shaban Jasharit. Pushkët e lirisë, zjarrit iu përgjigjen me zjarr. Filluan t’i shkojnë në ndihmë Jasharëve shokë nga shumë fshatra të Drenicës, me atë rast edhe u plagos gjatë ndihmës së Jasharëve Vesal Selimi nga Açareva, veprimtar dhe më pas luftëtar lirie”, tha ai.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati, tha se fillimi i kësaj kthese historike filloi pikërisht me këtë datë, ku u krye edhe sulmi ndaj familjes Jashari, ku Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe, që synimi i tyre ishte, vrasja e Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

“Përpjekjet e popullit shqiptarë për çlirimin e trojeve etnike janë të hershme, sa edhe vet lufta e tij për liri e pavarësi, përpjekje këto që u sublimuan me themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në pavarësinë e Kosovës. ..Lufta e popullit shqiptar nëpër shekuj, po ashtu edhe e fundit të UÇK-së, përfaqësoi faqet më të ndritshme të historisë sonë kombëtare. Këta bija dhe këta bijë të kësaj toke, për këtë ditë sotme kryen misionin më të shenjt duke ju mbetur besnik gjakimit dhe idealit për lirinë”, tha Ngucati

Me nga një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti ish komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa dhe ish-kryetari i OVL të UÇK-së, Gani Koci.

Kjo organizatë me rastin e shënimit të Ditës së Veteranit, ndau dekorata për familjen Jashari, familjen Pajaziti, familjen e Abdyl Krasniqit dhe familjen e Sylejman Selimit.

Ndërsa mirënjohje ndau për familjen Haradinaj, për familjen e Sami Lushtakut. Po ashtu me mirënjohje u nderuan edhe luftëtarët: Ramush Haradinaj, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Tahir Sinani, Ahmet Isufi, Rrahmon Rama, Gani Koci, Bahri Fazliu, Bekim Berisha-Abeja, Edmond Hoxha, Adrian Krasniqi, Fehmi dhe Gjevë Lladrovci, Mehë Uka, Osman Geci, Rafis Aliti, Emrush Suma, Fadil Beka, Adem Shehu, Sejdi Veseli, Sejdi Rama, Artim Jashari, Ismet Asllani, Dashamir Aliu, Gaspër Laspi, Gani Paçarizi, Ajet Beqiri, e të tjerë. /Manastiri Lajm/

 

15781154_1272138666157541_597379805888040513_n

15726963_1272136212824453_2319055118490634589_n

veteran_n

15726620_1205354356218903_3664770892610100849_n