Sot skadon afati për dorëzimin kandidaturave për kreun e prokurorisë publike. Nga Kuvendi prej ku duhet të arrijnë aplikimet theksuan se do të pranojnë dokumente edhe në dy ditët e ardhshme, shkaku i atyre të cilët biografinë e tyre e kanë dërguar përmes postës. Konkursi zgjati 15 ditë. Zyrtarisht kandidaturat i konfirmuan avokatët, Zvonko Davidoviq dhe Alkesandar Nakov, si dhe profesori universitar Sejfulla Osmani dhe noterja Lorija Vanevska.

Javorja “Fokus” në edicionin e fundit, shkruan se kandidati më serioz për të mbushur vendin e zbrazët, prokuror shtetëror publik është Ljubomir Jovevski i cili është anëtar aktual i Këshillit të Prokurorëve, dhe zëvendës i deritanishëm i Marko Zvrlevskit të shkarkuar. Megjithatë, nga Kuvendi nuk deshën të zbulojnë sa aplikime kanë arritur për Prokuror publik shtetëror. Sipas ligjit pasi të skadojnë 15 ditë për të konkuruar, Këshilli i Prokurorëve ka 15 ditë shtesë ti shqyrtojë biografitë e aplikuesve.

Nëse në këto 15 ditë nuk japin opinion për asnjërin nga kandidatët, kanë në dispozicion edhe 15 ditë për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët dhe të japin një opinion pozitiv apo negativ për ata që kanë vendosur të garojnë për postin e kryetarit të Prokurorisë publike. Nëse brenda afatit të caktuar prej 30 ditësh nuk dalin me qëndrim, do të konsiderohet se mendimi është pozitiv, dhe nëse ata nuk pajtohen me asnjërin nga kandidatët, shpallja do të duhet të përsëritet. Prokurori i ri do të përzgjidhet me 61 vota në Kuvend. Kohë më parë shumica e shkarkoi Marko Zvrlevskin nga posti, për shkak të kryerjes së funksionit në mënyrë të pandërgjegjshme.