Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenbergu, ka bërë me dije se edhe më tutje NATO-ja do të jetë në Kosovë për ta siguruar paqen dhe stabilitetin në vend.

Në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministrin Isa Mustafa, Stoltenbergu ka bërë me dije se KFOR-i është themeli i paqes dhe stabilitet në Kosovë. “NATO-ja është këtu për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetit. Prania e KFOR-it është themeli i paqes dhe stabilitet në Kosovë, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur ta mbajmë këtë prani. Siç thash me parë KFOR-i, është reaguesi i tret. Kemi pa një forcë policore që është gjithnjë më profesionale në Kosovë dhe gjithashtu edhe EUELEX-i që është i pranishëm në Kosovë”, ka thënë ai.

Shefi i NATO-s, i ka ftuar të gjithë që të shmangin retorikat që mund t’i nxisin tensionet. “Mesazhi kryesor për të gjithë është që të qetësohemi, dhe mos të shfrytëzohen retorika që mund t`i ngreh tensionet”, është shprehur Stoltenberg, duke shtuar se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështet FSK-në në mandatin që ka. Sipas tij, për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura vendosin institucionet e Kosovës dhe jo NATO.

Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se Kosova mirëpret vazhdimin e KFOR-it në Kosovë. Ai ka thënë se në këtë takim ka kërkuar edhe mbështetjen e NATO-së në procesin e krijimit të FSK-së në ushtri të Kosovës. Sipas tij, procesi i transformimit të FSK në Forca të Armatosura po mbahet peng nga deputetët serbë, të cilat janë të ndikuar nga Serbia. “Prania e KFOR-it është element shumë i rëndësishëm për sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të gjitha çështjet t’i zgjidhë përmes dialogut”, ka thënë Mustafa.